Peachi viziton Hamzën në Mitrovicë, para takimit me Osmanin e Kurtin

Prishtinë | 05 Jan 2023 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka pritur në takim Stuart Peachin, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

I shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, Peach dhe Hamza diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës, përmes postimit në Facebook, u shpreh mirënjohës për takimin që pati me dyshen britanike.

“Sot kisha kënaqësinë të pres në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Nicholas Abbott dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në takim diskutuam për bashkëpunimin e vazhdueshëm në mes institucioneve dhe Ambasadës Britanike, si dhe shpreha mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë dhe përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe dhe popullit britanik për vendin tonë”, shkroi Hamza.

Kujtojmë se Peach ka mbërritur sot në Kosovë, ku do të ketë takime me krerët e shtetit, presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.

Të ngjashme