Peci e Atiqi bisedojnë për problemet e qytetarëve në veri

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i ka shkuar të mërkurën në takim kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Atiq shkroi në Facebook se kanë diskutuar për sfidat dhe problemet me të cilat përballen qytetarët e dy komunave si dhe për zgjidhjen e tyre.

“Sot në zyrën time prita Kryetarit e Komunës së Zveçanit, z. Ilir Peci. Z. Ilir Peci e urova për mandatin në krye të Zveçanit dhe i urova punë të mbarë. Së bashku diskutuam për sfidat dhe problematikat me të cilat përballen qytetarët e komunave tona dhe biseduam për zgjidhjet për ato probleme. Në këto komuna nuk është menduar asnjëherë për qytetarin dhe se janë lënë shumë mbrapa shërbimet publike. Komunat tona do të bëhen të qytetarëve dhe ato do të jenë vende të banueshme ku normalisht do të zhvillohet jeta sikur në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës”, shkroi ai.

Peci, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, së bashku me Izmir Zeqirin nga kjo parti, që është kryetar i Zubin-Potokut, iu janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kur kishte kërkuar që t’i lëshonin objektet komunale dhe të operonin nga lokacione alternative.

Nga objekti i Komunës së Leposaviqit, ende s’ka dalë kryetari Lulzim Hetemi. Ai po qëndron aty qëkur kanë nisur tensionet në veri.

Të ngjashme