Peci: Gjatë këtij viti janë realizuar rreth 89 milionë milion euro buxhet, duke përfshirë grante e subvencione

Prishtinë | 27 Dhj 2024 | 12:39 | Nga Gzim Mujaj

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në konferencën përmbyllëse të vitit për medie, ka njoftuar se gjatë këtij viti janë realizuar rreth 89 milionë milion euro buxhet, duke përfshirë grante e subvencione, raporton Ekonomia Online.

“Po e lë këtë Ministri me 110 milionë euro në dispozicion të politikave të Ministrit të ardhshëm nga ku 90 milionë euro me ligj të buxhetit nacional e 20 milionë të tjera përmes partneriteteve e projekteve ndërkombëtare. 300 milionë euro është vlera të cilën e kanë përfituar rreth 120,000 fermerë përmes granteve e subvencioneve duke i kontribuar kështu ngritjes së kapaciteteve prodhuese e përpunuese në sektorin e bujqësisë”, ka thënë ministri Peci.

Peci tha se pas një stagnimi dekadash, tani kjo ministri numëron mbi 30 ligje në fuqi.

“Gjeta një stagnim dekadash në agjendë legjislative e dokumente strategjike, ndërsa sot numërojmë mbi 30 ligje në fuqi, më shumë se 60 udhëzime administrative, koncept dokumente, Strategjinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Planin përkatës të Veprimit, Strategjinë për Zhvillimin e Pylltarisë dhe Planin përkatës të Veprimit, Strategjinë për Komunikim në Bujqësi, Strategjinë për Komunikim në Pylltari, Planin e Veprimit për Bujqësi Organike të Republikës së Kosovës, Planin Strategjik të Sistemit Këshillues të Kosovës për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2023-2027 e të tjera”, tha ai.

Peci theksoi se është në proces të implementimit projekti me vlerë prej 7 milionë euro nga GIZ, financuar nga Komisioni Evropian.

“20.2 milionë euro për tre vite me radhë për agroturizmin, ekoturizmin dhe turizmin rural në kuadër të Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtarë me Qeverinë Gjermane. Është bërë rehabilitimi i sistemit të ujitjes për 7,750 ha sipërfaqe nën ujitje me një vlerë të investimit prej rreth 4,2€. Gjithashtu jemi në proces të implementimit të grantit në vlerë prej 9.2 milionë euro nga Komisioni Evropian për Investime dhe ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes, e që implementohet nga Banka Botërore që do të mundësojë rritjen e sipërfaqeve nën ujitje në 11,740 hektar apo 3000 hektarë më shumë. Është në proces të implementimit projekti me vlerë prej 7 milionë euro nga GIZ, financuar nga Komisioni Evropian me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të AZHB-së drejt plotësimit të kritereve dhe standardeve për qasje në fondin e para-antarësimit në BE”, tha ai.

Sipas tij as këtë vit nuk do t’u mbetet borxh asnjë fermeri përfitues të subvencioneve, dhe të gjitha pagesat janë finalizuar.

“Me propozim të MBPZHR-së dhe Vendim të Qeverisë, është bërë themelimi i Task – Forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve, si trup koordinues ndërinstitucional për luftimin dhe parandalimin e veprimeve ilegale në pyje si dhe Task Forcës për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore nga Ndërtimet e Paplanifikuara Urbane dhe Degradimin e saj. Gjatë këtij viti kemi ekzekutuar rreth 89 milionë euro grante e subvencione për bujqësi. Ashtu si në vitin 2022 dhe 2023, as këtë vit nuk do ju mbesim borxh asnjë fermeri përfitues të subvencioneve, dhe të gjitha pagesat janë finalizuar”, tha ai.

Gjatë këtij mandati,  ai theksoi se 120% është rritja mesatare e mbështetjes për kultura bujqësore, ndërsa deri në 275% kjo rritje arrin për kulturën e grurit ndërkaq 400% kemi rritje të mbështetjes për bujqësinë organike.

“14.5 mil. € ka rënë importi i grurit në vlerë për 11 muaj të këtij viti krahasuar me vitin paraprak si rezultat i përkrahjes qeveritare! Në vitin 2023 importuam 121.5 milion kg grurë me një vlerë prej  30.4 mil. €; Në vitin 2024, ky tregues ra në 78.1 milionë kg grurë, me një vlerë prej 15.9 mil. €; Diferenca në sasi është 43.3 milionë kg më pak krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa vlerë është 14.5 mil. € më pak. Falë mbështetjes së Qeverisë së Kosovës dhe përkrahjes së Kryeministrit Kurti ndaj vizionit tim si Ministër i Bujqësisë, fermerët tanë, gëzojnë dinjitetin e mohuar me vite të tëra.49,23% është rritur sipërfaqja e punuar e tokës, duke krahasuar vitin 2019/2023 kurse aktiviteti bujqësor ka shënuar 27% rritje. 93,54% është rritja e eksportit të produkteve bujqësore dhe ushqimore për tri vitet e shkuara 2021-2023 krahasuar me vitin 2020, në vlerën e mallrave të eksportuar.Kemi një rritje prej 660.32% të eksporteve të produkteve të qumështit dhe nën-produkteve të tij, si rezultat i politikave të duhura dhe mbështetjes konkrete financiare”, tha ministri Peci.

Ai po ashtu ka theksuar se nëse krahasohet viti 2021 dhe 2024, rritja e eksportit është 60,03% në vlerë. 

“Si rezultat të rritjes së mbështetjes financiare kemi rritje të prodhimit bujqësor. Kemi shënuar një rritje të mbështetjes prej 184% nga partneritetet ndërkombëtare apo 51 milionë euro në vlerë krahasuar me periudhën 2018-2021 që ishte 18 milionë. 1.95 milionë euro është vlera e projektit të implementuar për sistemin FCMS (Food Control Management System), i cili ka digjitalizuar të gjithë zinxhirin e funksionimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, që nga regjistrimi, gjurmueshmëria, matrikulimi duke ngritur në një tjetër nivel transparencën në këtë Agjenci. 115% është përqindja e rritjes së kilogramëve të grurit të subvencionuar krahasuar me vitin 2021 – 2024 ndërsa 2 ton më shumë prodhim i hektarit për kulturën e grurit në krahasim me vitin e kaluar kurse 102.72% është mbulueshmëria me grurë sipas Raportit të Korrje-Shirjeve 2024. Rreth 21,7 milionë euro është vlera e subvencionuar për plehërim dhe naftë, për herë të parë në Qeverisjen tonë”.

Ai tha se deri tani është i vetmi ministër që që ka ngritur çështjen e pronave shtetërore si dhe ka alarmuar organet e rendit e drejtësisë e opinionin publik rreth keqpërdorimeve milionëshe e abuzimeve me dekada të tëra me pronën e shtetit.

“Nga ky alarmim kemi arritur që disa nga tokat e tjetërsuara përmes pjesëtarëve të komuniteti serb dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë të Institutit Bujqësor të Pejës në Kosovë; t’i rikthejmë në pronësi të Ministrisë e këto janë: Rasti me pronën në Qyshk të Pejës, bartur Mitar Blagojeviqit, 10 hektarë në vlerë prej 12 milionë euro”, tha Peci.  

Peci tha se vlera e dëmit të shkaktuar me keqpërdorimin e pronës shtetërore arrin një vlerë prej 500 milionë eurove.

“Gjithashtu përmes vërtetimeve të pabaza e të jashtëligjshme në bashkëpunim të zyrtarëve kadastralë të Agjencisë së Kadastrës së Kosovës dhe Drejtorisë së Kadastrës në Prishtinë, Jovica Denic bëhet pronar i 1ha e 34 ari në zonën industriale Prishtinë-Fushë Kosovës. Kjo pronë sot i është rikthyer titullarit ndërsa vlera e saj në treg e kalon shifrën prej 4 milionë eurove.  Ishte uzurpuar dhe tjetërsuar prona shtetërore në Stankaj në të cilën ishin ndërtuar 25 vila. Për këtë janë ngritur 22 aktakuza. Kemi alarmuar rastin e objektit prej rreth 1000 m2 të uzurpuara në Lagjen Ulpiana, një pjesë e së cilit me lokale të shtuara vazhdon që të qëndrojë i tillë, përkundër faktit se dëshmitë flasin qartë për titullarin, Gjykata ka vendosur masë të përkohshme.  Në afërsi të objektit të Qeverisë, kemi rikthyer objektin me sipërfaqe prej 138 metra katrorë, pas 25 viteve. Vlera e dëmit të shkaktuar me keqpërdorimin e pronës shtetërore arrin një vlerë prej 500 milionë eurove”, tha ministri.

Për herë të parë, progresi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) është vlerësuar nga Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian, duke theksuar arritjet dhe përmirësimet e bëra në fushat e sigurisë ushqimore dhe kontrollit veterinar.

Sa i përket identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve, ai tha se është bërë hapja e pronave të reja blegtorale dhe ri-matrikulimi i kafshëve për të ditur numrin e saktë të kafshëve shtëpiake.

“Janë funksionalizuar 5 zyre regjionale, kemi realizuar me sukses fushatat e vaksinimit nga ajri kundër sëmundjes së tërbimit. Për dhelprat e egra numri i vaksinave është rreth 50 mijë sosh. Gjithashtu kundër sëmundjes së tërbimit është kryer vaksinimi për 10,200 qen me pronar. Ndër projekte të rëndësisë së lartë, kemi arritur që t’i sigurojmë përmes Bankës Botërore 5.8 milionë euro për ngritjen e kapaciteteve të laboratorëve ne kuadër të projektit për tregtinë e lirë”,  tha ai.

Sektori i pylltarisë, sipas tij ka pësuar transformim përmes miratimit të Ligjit të ri për Pyjet dhe hartimit të dokumenteve strategjike si Strategjia për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030 dhe Plani Kombëtar i Pyllëzimit dhe Ripyllëzimit.

Për herë të parë pas 2005, Peci njoftoi se po hartohet koncept-dokumenti për Ligjin e ri për Gjuetinë, duke shoqëruar këto përpjekje me Planin Kombëtar për Gjueti dhe Ekoturizëm.

“Në të njëjtën kohë, janë ndërmarrë hapa për forcimin institucional, përfshirë transferimin e menaxhimit të pyjeve në nivel qendror dhe krijimin e Task Forcës për mbrojtjen e pyjeve”, tha Peci në konferencën për media.

Të ngjashme