Kryetari i ri i Mitrovicës, Faton Peci, u shpreh i lumtur për vizitën e Presidentes Vjosa Osmani. Ai madje e quajti Osmanin si presidenten më të mirë që e ka pasë Republika e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Mes tjerash, Peci tha se Mitrovica pas luftës është trajtuar vetëm si problem i mitrovicasve, e se “tash është mirë që ka vëmendjen dhe mbështetjen e të parës së vendit, por edhe të Qeverisë”.
“Në ditën e parë të fillimit të punës, prej mëngjesi ta kem mysafire presidenten Vjosa Osmani, të cilën e uruam mirëseardhje në shtëpinë e saj. Diskutuam për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës, por edhe të nevojës më të madhe të mbështetjes institucionale që i duhet Mitrovicës, duke filluar nga Zyra e Presidentes dhe Qeverisë, për të cilat kohët e fundit ka pasur përmirësim të dukshëm, por nga ana komunale kemi ambicie më të madhe për t’i adresuar këto. Mitrovica pas luftës, sikurse në fazën fillestare, është trajtuar vetëm si problem i mitrovicasve; tash është mirë që ka vëmendjen dhe mbështetjen e të parës së vendit, por edhe të Qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, zoti Albin Kurti. Ne kemi më fat si Mitrovicë që gjatë këtij mandati nga Mitrovica e kemi pasur një përfaqësim shumë dinjitoz në politikën e jashtme, duke filluar nga bashkëvendësja jonë që prej se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka pasur fatin ta ketë presidentin ose presidenten më të mirë që ka pasur Republika e Kosovës dhe ne sot e patëm këtë fat ta kemi në zyrën e të parit të Komunës së Mitrovicës”, tha Peci.
Peci tregoi edhe për disktuimet që bënë bashkë me Osmanin në takim.
“Kemi diskutuar shumë tema që janë në interes publik për qytetin e Mitrovicës, duke filluar prej çështjeve ambientale, arkeologjike që e shpalosin trashëgiminë dhe potencialin e trashëgimisë kulturore, por edhe njëkohësisht për mundësinë që qyteti i Mitrovicës, që është më i bukri për atë që i ka dhënë Perëndia, por që nuk është demonstrim i gjendjes faktike në terren, ta përmirësojmë e ta avancojmë përmes projekteve konkrete”, deklaroi Peci.