Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, për herë të tretë radhazi, ka organizuar ditën fushore “Ditët e Mjedrës”, ku mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, raporton Ekonomia Online.
Ministri Peci e ka quajtur mjedrën “frut strategjik”, kultivimi i të cilës, sipas tij, ka dëshmuar potencialin e madh për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai ka shtuar se kultivimi i frutave manore, sidomos i mjedrës, kërkon kujdes të veçantë dhe klimë të favorshme, të cilën Kosova e ka në disa zona.
Peci ka thënë se Ministria e Bujqësisë e ka rritur përkrahjen e saj për këtë sektor për 70 për qind, prej se ai e drejton këtë ministri dhe se investimet në ndërtimin e plantacioneve të përhershme, ku përfshihen edhe pemët manore, zënë vend të rëndësishëm në Programin Kombëtar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2023-2027.
“Mjedra është një frut strategjik, kultivimi i së cilës ka dëshmuar potencialin e madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke ofruar mundësi të reja për kultivuesit dhe duke kontribuar në përmirësimin e jetës për qytetarët tonë që jetojnë në zonat rurale. Kultivimin i manoreve, sidomos i mjedrës kërkon një kujdes të veçantë dhe klimë të favorshme dhe Kosova ka shumë zona të përshtashme për kultivimin e saj”.
“Në Podujevë tashmë figuron në hartën e prodhimeve më së shumti kultura e mjedrës. Në bazë të statistikave që kemi rezulton se numri i aplikimeve për vitin 2021-2023 në programin e pagesave direkte është rritur deri në 75 për qind, ndërsa përgjatë këtyre viteve shuma totale që është paguar ose është dhënë në përkrahje në sektorin e mjedrës është rritur deri në 35 për qind”.
“Investime në ndërtimin e plantacioneve të përhershme ku përfshihen edhe pemët manore zënë një vend të rëndësishëm në kuadër të programit kombëtar për bujqësi dhe zhvillim rural 2023-2027. Ministria të cilën unë drejtoj ka rritur që përkrahjen për mjedrën ta rrisë në aspektin e subvencionimit dhe granteve. Rritja e përkrahjes prej se jam unë ministër është 70 për qind për sektorin e mjedres”, ka thënë Peci.
Georg Schnetzer, ambasador i Austrisë në Kosovë, ka thënë se kultivimi i këtij fruti është një storie suksesi për Kosovën.
“Kjo është storie suksesi në Kosovë. Kosova dhe Austria kanë një miqësi afatgjate. Mbështetja austriake për ekonomin e Kosovës mbulon sektorë të ndryshëm. Që disa vite Austria është në pesë vendet e para me investime në Kosovë. Mbështetja jonë në sektorin e bujqësisë ka qenë e vazhdueshme për vite të tëra. Nuk ka të bëjë vetëm me tokën, ka të bëjë me njerëzit. Kontributi i secilit individ është jetësor për suksesin tonë kolektiv”,
Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës, ka thënë se komuna që ai udhëheqë ka ndihmuar kultivuesit e këtij fruti në forma të ndryshme.
“Në kuadër të ndarjes së subvencioneve që japim çdo vit, prodhuesit e këtij fruti i kemi ndihmuar me fidane por edhe në forma të tjera me të vetmin qëllim që të rriten sipërfaqet e mbjellura”, ka thënë ai.
Ndërsa, Kujtim Lepaja, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare “Mjedra e Kosovës”, ka thënë se kultura e mjedrës ka përmirësuar imazhin e bujqësisë së Kosoës në Evropë për shkak të cilësisë dhe kualitetit që është eksportuar.
“Sot është një ditë e veçantë për kulturën e mjedrës. Kultura e mjedrës na ka përmirësuar imazhin e bujqësisë në Evropë për shkak të cilësisë dhe kualitetit që është eksportuar. Kërkesat jashtëzakonisht kanë qenë gjithmonë të mëdha”, ka thënë ai.