Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se këtë vit, “toka e bekuar e Kosovës”, minimalisht do të prodhojë 140 000 deri 150 000 ton më shumë sesa vitin e kaluar.
Sipas Pecit, kjo është sasia e grurit që Kosova ka importuar vjet, duke lënë të nënkuptohet se Kosova pritet të plotësojë nevojat e veta me grurë.
Sipas tij, një qytetar i Kosovës llogaritet se konsumon në ditë mesatarisht prej 250 deri 300 gram miell.
Përmes një postimi në Facebook, Peci ka llogaritur se për 365 ditë kjo i bie 140 deri 150 kg grurë, raporton Ekonomia Online.
“Kosova ka importuar vitin e kaluar 139 000 ton me grurë. E këtë vit, toka e bekuar e Kosovës, minimalisht po i prodhon 140 000 deri 150 000 ton më shumë se vitin e kaluar. Ne kemi të dhëna të sakta për çdo hektar të mbjellë. Në këtë llogaritje nuk përfshihen sipërfaqet nën 1ha që ne si Ministri nuk i subvencionojmë”, ka shkruar Peci.