Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në mbledhjen e qeverisë së Kosovës ka deklaruar se task-forca për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve, ka treguar rezultate të ndjeshme pasi ka rënë ndjeshëm prerja e pyjeve ilegale, raporton Ekonomia Online.
“Mandati i kësaj Qeverie ka shënuar progres shumë të rëndësishëm në avancimin e legjislacionit, politikave dhe mekanizmave për mbrojtjen, monitorimin dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve të Kosovës. Pas 12 viteve stagnimi, është miratuar ligji për pyjet i cili sjellë qasje efektive dhe njëkohësisht është hartuar strategjia për zhvillimin e pylltarisë së bashku me një plan të qartë të veprimi për zbatimin e këtij ligji. Me miratimin e ligjit të ri për pyjet, është bërë një ndryshim thelbësor për të deleguar kompetencën nga niveli lokal te ai qendror e kjo ndarje e plotë e përgjegjësive ka sjellë rritje të ndjeshme të efikasitetit në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e resurseve brenda një periudhe të shkurtër kohore”, tha Peci.
Si pjesë e këtij koncepti, ai tha se në korrik të vitit 2021, është themeluar për herë të parë task-forca për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve.
Sipas tij kjo task-forcë ka treguar rezultate të ndjeshme pasi ka rënë ndjeshëm prerja e pyjeve ilegale.
“Andaj duke pasur parasysh këto rezultate dhe rëndësinë e punës së task-forcës, propozoj që mandati i saj të zgjatët për një periudhë tjetër trevjeçare. Ky mandat i ri do të sigurojë vazhdimin e aktiviteteve, forcimin e zbatimit të ligjit, reduktimin e mëtutjeshëm të aktiviteteve ilegale dhe mbrojtjen afatgjate të pyjeve si pasuri kombëtare e vendit tonë”, tha ministri Peci.