Peci tregon për subvencionet që i presin fermerët në vitin që sapo hymë

Prishtinë | 09 Jan 2023 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka përmbledhur punët e realizuara deri më tani nga ministria që ai drejton.

Ndër risitë e Programit për Pagesa Direkte – Subvencione 2023, Peci thotë se është subvencionimi i farës së grurit me 614 €/ha, përkrahje kjo e cila përfshin 250€ për sipërfaqe; 150€ për plehërimin; 54€ për naftën; 0.04€ për kilogram apo një mesatare prej 160€.

Ndër të tjera, ministri ka thënë se gështenja do t’i bashkohet këtë vit subvencionimit të dru-frutoreve me 504€ për hektarë, përfshirë edhe subvencionimin e naftës.

“Kjo kulturë është kulturë strategjike, fruti i së cilës është i kërkuar në tregun e jashtëm”, tha ministri Peci.

Tutje, ai tha se për të rritur sipërfaqet si dhe për të krijuar kushtet e nevojshme për lëndën e parë të prodhimit të vajit ushqimor, këtë vit për herë të parë Ministria e Bujqësisë do të subvencionojë lulediellin me 454€/ha.

Po ashtu, ai thotë se me qëllim të rritjes së prodhimtarisë vendore e njëherësh edhe cilësisë, “këtë vit kemi paraparë për herë të parë, subvencionimin e zogjve për mish apo broilerëve me 0.20€ për zog”.

“Nga ky Program eliminohet përshkallëzimi duke bërë që pagesa për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore të subvencionohet me 0.25 euro për copë”, thekson Peci.

Sipas tij, tek pagesa direkte për bimët mjekësore dhe aromatike, është shtuar subvencionimi për bimët mjaltëdhënëse me 450€/ha.

Ai tha se aplikimi në këtë Program është lehtësuar duke hequr vërtetimin e deklaratës nën betim tek noteri – “këtë vit do mjaftojë vetëm nënshkrimi i fermerit”.

Ministri Peci tha se këtë vit do të vazhdohet me subvencionimit e grurit – 474€/ha; misrit – 329€/ha; patates – 654€/ha; dhe fasules – 654€/ha.

Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë tha se kulturat pemëtarë subvenciohen me 504 euro për hektarë. Perimet në sipërfaqe të mbyllura subvencionohen me 904€/ha, ndërsa perimet në sipërfaqe të hapur me 554€/ha. 

Të ngjashme