Komuna Pejës, ajo e Junikut dhe e Lipjanit do të përfitojnë më së shumti nga Granti i Performancës Komunale, që sot është nënshkruar mes Ministrisë së Administrit të Pushtetit Lokal dhe kryetarëve të komunave.
Sipas njoftimit nga qeveria, Granti i Performancës bashkëfinancohet nga MAPL-ja dhe nga tre donatorë: Qeveria e Zvicrës, ajo e Suedisë dhe ajo e Norvegjisë.
Granti do të mbështesë financiarisht implementimin 43 projekteve komunale në 23 komunat përfituese. Për vitin 2020, ky grant është në shumë prej 4.9 milionë eurosh. Komunat në të cilat do të shpërndahen këto grante janë: Pejë, Junik, Lipjan, Gllogoc, Kaçanik, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Vushtrri, Hani i Elezit, Klinë, Rahovec, Shtime, Skenderaj, Gjakovë, Suharekë, Malishevë, Viti, Graçanicë, Kllokot, Ranillug, Shtërpcë, Mamushë, dhe Leposaviq.
Në njoftim theksohet se, sipas rregullave të grantit, një shumë shtesë prej 10 për qind e totalit të grantit ndahet për tri komunat me performancën më të mirë në ofrimin e shërbimeve, me çrast vendin e parë e ka zënë Peja, të dytin Juniku e të tretin Lipjani.
“Marrë parasysh veçantinë e grantit dhe kritereve të shpërndarjes, të cilat nuk bëhen sipas qasjeve preferenciale, por ndarje me themel meritor, ne do të vazhdojmë të ndjekim këtë mënyrë të përkrahjes së komunave, t’i nxisim autoritetet lokale për masa të reja produktive, qeverisje më të mirë, më transparente, më përfshirëse dhe më cilësore në ofrimin e shërbimeve”, thuhet në njoftim.