Qeverisja lokale e Pejës edhe në mandatin e dytë, e drejtuar nga Gazmend Muhahxeri, i mbetet besnike politikës së saj të shpronësimeve dhe shkëmbimeve të pronave private me prona komunale.
Edhe në planifikimet buxhetore të Komunës së Pejës për 3 vjetët e ardhshëm, sikur edhe në mandatin e kaluar, mjetet e planifikuara për shpronësime nuk mungojnë.
Madje në planet e saj Komuna e ka dyfishuar shumën për shpronësime të pronave private në emër realizimit të planeve rregulluese dhe të projekteve të ndryshme infrastrukturore, shkruan sot Koha Ditore.
Për vitin 2018, sipas planifikimeve buxhetore, kanë qenë të planifikuara 300 mijë euro për shpronësime. Kjo shumë për vitin 2019 është dyfishuar në 600 mijë euro, derisa për vitin 2020 janë planifikuar 700 mijë euro dhe për vitin 2021 shuma prej 800 mijë euro.
Ky fond i shpronësimit, siç shkruan në planin buxhetor, do te përdoret për shpronësimin e parcelave private më qëllim të realizimit të ndërtimit të impiantit për ujerat e zeza dhe shpronësimet tjera, disa prej të cilave për ndërtimin e shëtitores përgjatë Lumëbardhit.