Aktualisht, seria e ndeshjeve gjysmëfinale të “play-offit” të Superligës së basketbollit në të dy çiftet është 1-1. Duelet e treta, pejanët dhe therandasit do t’i luajnë në shtëpi sonte.
Sonte do të zhvillohen ndeshjet e treta gjysmëfinale të “Play-offit” në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshjet tashmë zhvendosen në Pejë dhe Therandë, ku gjithashtu do të zhvillohen edhe sfidat e katërta gjysmëfinale, derisa skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finalen e madhe.
Përballje shumë interesante pritet ndërmjet Pejës dhe Ponte Prizrenit, ashtu siç ishin edhe takimet e fundit.
Ndeshjen e parë e fitoi Peja me shifrat 92:100, ndërsa takimin e fundit e fituan prizrenasit 112:111 pas vazhdimeve me një tre pikësh nga Divine Myles në sekondat e fundit.
Takimet mes tyre ishin shumë interesante, duke dhuruar lojë të bukur dhe atraktive, e kështu pritet të premten mbrëma.
1:1 është seria edhe ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit, duke e bërë shumë të paqartë se kush do të kualifikohet në finale.
Dy sfidat e para u zhvilluan në Rahovec, kurse sfidat e dyta do të zhvillohen në Therandë.
Takimin e parë e fituan Vreshtarët 69:66, kurse të dytin therandasit 62:70.
Në vitet e fundit përballjet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë shumë interesante dhe kështu pritet të premten dhe të dielën.