Klubi i basketbollit Peja është kthyer aty ku e ka vendin. Jo vetëm në Superligën e basketbollit të Kosovës, por edhe në garën për titullin e kampionit, siç ishte gjithnjë deri në verën e vitit 2018 kur u përjashtua nga elita për shkak të borxheve të mëdha.
Pas një viti pauzim dhe pasi ka arritur të riorganizohet, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka kthyer në elitë direkt, shkruan sot Koha Ditore.
Dhe tash Peja premton kthim të fuqishëm.
Edicioni i ri nis më 28 shtator kurse Peja ende nuk ka nisur përgatitjet. Në xhiron e parë do të përballet në Prizren me Ponten.
“Të hënën do të nisim përgatitjet dhe me punën e trajnerit dhe stafit tjetër besoj që me kalimin e kohës do të jemi të barabartë me ekipet tjera në këtë aspekt”, tha Art Gashi, kryetar i klubit. “Realisht, me ekipin që kemi bërë dhe duke u bazuar në emrat e lojtarëve e karrierën që kanë jemi konkurrentë të fortë dhe ekip që vështirë do të mposhtet. Kemi dashur të kompletojmë një ekip të fortë dhe të kemi një rikthim të fuqishëm në Superligë”.
Gashi insiston se kthimi i Pejës jo vetëm që do ta ngrijë cilësinë në basketbollin e Kosovës, por edhe do të kthejë tifozët në tribuna. Peja bashkë me Prishtinën që është skuadra më e suksesshme në Kosovë dhe Trepçën e Bashkimin, për shumë vjet përbënin “katërshen e madhe”.