Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një polic dhe gjashtë qytetarë në një aksion të zhvilluar mbrëmë në Pejë.
Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, njofton Klankosova.tv.
Muaj më parë hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale të PK-së në Pejë) dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
“Në kuadër të veprimeve hetimore mbrëmë nga hetuesit e IPK-së është zbatuar urdhëri i kontrollit në një lokal në rrugën “Hoxhë Tahsini”në Pejë meqë ekzistonte dyshimi i bazuar se aty ishte duke u zhvilluar aktiviteti i kundërligjshëm respektivisht dyshohej për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit nga IPK janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në këtë rast.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.