Pensionistët u gëzohen premtimeve të partive për rritje të pensioneve, Kastrati: Ka buxhet, mund të jetë e realizueshme

Prishtinë | 21 Dhj 2024 | 08:00 | Nga Diellza Gashi

Shoqata e Pensionistëve të Kosovës i gëzohet premtimeve të partive të politike për rritjen e pensioneve, por kërkojnë që këto premtime të realizohen pas fushatës elektorale.

U.D kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati, në një intervistë për Ekonomia Online thekson se rritja e pensioneve, përmirëson standardin e jetesës për pensionistët.

Madje, sipas tij propozimet e kandidatit për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, i përmbushin më shumë kërkesat e pensionistëve.

Por, gjithashtu shprehet optimist në lidhje me mundësinë e rritjes së pensioneve deri në 70 për qind dhe theksoi se buxheti i Kosovës ka pësuar rritje, duke e bërë të mundur realizimin e kësaj rritjeje.

Kastrati vlerëson se programet e shpalosura nga PDK-ja janë një mundësi për të adresuar nevojat e kësaj shtrese të shoqërisë.

“Kanë ardhur dhe kanë shfaqur programet e veta më herët, AAK-ja ka qenë, ditë më parë ka qenë edhe Bedri Hamza, i cili ka shpalosur programin lidhur me krijimin e standardit të shtresave e sidomos të pensionistëve, në programin e vet ai thotë që me ardhjen e tij si kryeministër do ta rris pensionin për 70 për qind kuptohet në tërësi të pensionistëve. Ndër ato ka shfaqur edhe interesimin e subvencionuar rreth ilaçeve të cilat janë të shumta,  ne konsumojmë ilaçe të tepërta, dhe ai tha se do të ndihmojë në subvencionimin e ilaçeve”, ka thënë Kastrati.

Tani që buxheti është afër katër miliardëve, ai thekson se ka mundësi që të rritet pensioni mbi 70 për qind.

“Ne e mirëpresim sepse ka thënë 70 për qind do të rrit pensionet. Besoj që nëse dëshiron ka mundësi rritjen e pensioneve. 100 euro që kanë qenë nga pensioni bazik, kanë qenë para pesë viteve ose gjashtë buxheti i Kosovës ka qenë nën tre miliardë, kurse tani është afër katër miliardëve kështu që ka mundësi për t’u rritur pensioni mbi 70 për qind. Kjo do të thotë që është shumë e arsyeshme dhe shumë e realizueshme, ne synojmë që të sjellë një ligj mbi fondin pensional ai do të rregullojë çështjet tona në mënyrë më të mirë. Ne do të aludojmë tek çdo qeveri që të sjellë ligjin për fondin pensional”, ka theksuar ai.

Shoqata e Pensionistëve synon një ligj për fondin pensional që do të rregullojë në mënyrë më të mirë çështjet e pensionistëve, duke i siguruar ata me një standard më të lartë jetese dhe më shumë mbështetje sociale.

Kastrati tha se aktualisht pensioni bazik është vetëm 120 euro, një shumë që është shumë e ulët në krahasim me shtetet fqinje, si Maqedonia dhe Serbia, ku pensionet e ulëta janë më të larta, përkatësisht 250 dhe mbi 400 euro.

“Ndoshta është bindje individuale për Bedri Hamzën nuk po flas për partinë se nuk jemi shtresë e politizuar, nuk më intereson asnjë parti, të gjitha për mua janë që e nxisin ndërtimin e shtetësisë. Por ,nëse flasim për Bedri Hamzën mendoj që ai gjatë karrierës së tij ka treguar një seriozitet dhe e arsyetojë rritjen 70 për qind duke u bazuar në buxhetin e Kosovës. Momentalisht pensioni bazik është 120 euro nuk e di sa guxojmë t’i themi që është pension, ajo nuk është as lëmoshë do të marrim shembull shtetet fqinjë, Maqedonia pensioni më i ulët është 250, Serbia e ka mbi 400 euro, që do të thotë që ne duhet të jemi afër me shtetet fqinje”, përfundoi Kastrati.

Të ngjashme