Pensionistët nuk kanë nevojë të paraqiten për konfirmim deri më 30 shtator

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Nga frika se do t’u ndalen pensionet, shumë pensionistë janë paraqitur në Zyrën Regjionale të Pensioneve në kryeqytet.

Siç shihet në fotografinë e Arian Rexhepit, postuar në Facebook, kjo është bërë pa ruajtur distancën sociale e pa përfillur rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Por, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka konfirmuar për KOHËN se e ka shtyrë afatin për paraqitje të pensionistëve deri më 30 shtator.

Bahri Xhaferi, udhëheqës i Departamentit të Pensioneve në MPMS, u ka bërë thirrje pensionistëve që t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së dhe të mos dalin fare e as të paraqiten për pensione.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë rreth 200 mijë pensionistë të disa kategorive, të cilët janë të obliguar të lajmërohen në Zyrën e Pensioneve, dy herë në vit.

Por, këto rregulla janë ndryshuar shkaku i pandemisë, derisa Shoqata e Pensionistëve të Kosovës i ka bërë thirrje Ministrisë që t’i njoftojë vazhdimisht pensionistët për shtyrjen e këtij afati që të mos krijohen tollovi në Zyrat për Pensione.

Të ngjashme