Nikollë Dushi ka vendosur të pensionohet nga loja e futbollit në kohën kur ishte në formë shumë të lartë.
Sulmuesi ishte lojtari kryesor i Malishevës në Ligën e Parë, por ai vendosi ta braktisë këtë skuadër dhe futbollin e Kosovës për ta vazhduar karrierën dhe jetën në Gjermani.
“Them të drejtën, po të mos largohesha nga Kosova do të vazhdoja ende të luaja futboll, por mora vendimin që të pensionohem para kohe për shkak se tash e tutje do të jetoj në Gjermani. Atje do të punoj dhe do të merrem edhe me futboll, sepse me këtë lojë jam rritur dhe asnjëherë nuk do t’i ndahem futbollit”, ka thënë Dushi.
Sulmuesi që bëri karrierë në shumë klube të Kosovës në sezonin vjeshtor shënoi 10 gola për klubin e Malishevës në Ligën e Parë dhe falë golave të Dushit, kjo skuadër përfundoi në vendin e katërt me 26 pikë të grumbulluara, dy pikë me pak se Besa që është lidere dhe, përveç këtyre dy klubeve, në garë për t’u inkuadruar në Superligë janë edhe Arbëria, Liria dhe Istogu.
“Tash jam 33-vjeçar dhe në sezonin vjeshtor kam treguar formë të lartë, ku kam realizuar edhe 10 gola. Nga futbolli i Kosovës nuk jam larguar për shkak të kushteve, por për familje. Normalisht se jam i lumtur me rezultatet e klubit dhe pozitën që e kam lënë, por i mërzitur që nuk kam mundur t’i ndihmoj edhe në pranverë”, ka shtuar ai.
Dushi ka shtuar se çastet më të mira në karrierën e tij i kaloi në klubin e Prishtinës dhe Malishevës. “Të them të drejtën, në të gjitha klubet ku kam luajtur kam kaluar dhe jam ndier mirë, kurse formën më të mirë e kam pasur në Klubin e Prishtinës, ku kam fituar çdo titull, por edhe me Malishevën jemi bërë kampionë në Ligën e Dytë dhe kam qenë golashënuesi më i mirë, kurse edhe në këtë edicion rezultatet pozitive nuk kanë munguar”, ka deklaruar Dushi për “Epokën e re”.
Përveç Malishevës dhe Prishtinës, Dushi ishte pjesë edhe e Vëllaznimit, Hajvalisë dhe Fushë-Kosovës. Nikollë Dushi është shpallur edhe sportisti i vitit 2019 në Komunën e Malishevës, pas sukseseve që arriti me skuadrën nga ky qytet në sezonin vjeshtor.