Komuniteti i inteligjencës në ShBA ka vlerësuar se ISIS-i në Afganistan mund ta ketë aftësinë për t’i sulmuar Shtetet e Bashkuara pas gjashtë muajve dhe ka për qëllim që të bëjë një gjë të tillë, i tha Kongresit një zyrtar i lartë i Pentagonit.
“Komuniteti i inteligjencës tash për tash vlerëson se ISIS-K dhe al-Qaida kanë për qëllim që të kryejnë operacione të jashtme, përfshirë kundër Shteteve të Bashkuara, por asnjëri grup momentalisht nuk e ka kapacitetin për ta bërë këtë. Mund të shohim që ISIS-K ta krijojë këtë aftësi mes gjashtë dhe dymbëdhjetë muajve”, tha Colin Kahl, nënsekretar i mbrojtjes për politika.
Komentet e tij janë përkujtimi më i ri se Afganistani ende mund të përbëjë shqetësim serioz për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, edhe pasi iu dha fund luftës dydekadëshe në gusht, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Talibanët, që e fituan luftën, janë armiq të ISIS-it dhe kanë bërë përpjekje për të vendosur ligj dhe rend, pasi tërheqja e forcave amerikane u përcoll me sulme vetëvrasëse e sulme të tjera, për të cilat përgjegjësinë e mori ISIS-i.
Në një paraqitje para komisionit të Senatit për shërbimet e armatosura, Kahl tha se ende është e paqartë nëse talibanët e kanë aftësinë për ta luftuar ISIS-in në mënyrë efektive pas tërheqjes së ShBA-së në gusht. ShBA-ja luftoi kundër talibanëve si dhe kundër grupeve të tjera si ISIS-i dhe al-Qaida.
Në anën tjetër, talibanët janë zotuar se nuk do të lejojnë që Afganistani të bëhet bazë për sulme ndaj shteteve të tjera.