Në dy sezonet e tij te Bayerni, Pep Guardiola e përdori kapitenin Philipp Lahm si një “gjithçkabërës”. Bavarezi u provua si mbrojtës i djathtë, mbrojtës qendre (në sistemin me tre mbrojtës), mesfushor defensiv, mesfushor qendre (8-sh apo edhe 10-sh) dhe mesfushor krahu.
“Philipp është lojtari më inteligjent që kam njohur në jetën time!” – thoshte tekniku.
Një të tillë duket se gjeniu e ka gjetur edhe te skuadra e tij e re, Manchester City. Ai është mesfushori Fernandinho. Mesfushori? Jo, thjesht “lojtari”, pasi për katalanasin ai mund të luajë në dhjetë pozicione. 3
1-vjeçari ka luajtur kryesisht në mesfushë te City, por Guardiola sugjeron që braziliani mund të luajë në … mbrojtje.
“Mendoj se Fernandinho mund të luajë në dhjetë pozicione”, tha Pep në një konferencë për shtyp.
“Ai ka cilësinë të luajë kudo. Është një lojtar i zhdërvjellët, i shpejtë, inteligjent, agresiv dhe i fortë në ajër. Ai mund të luajë si qendërmbrojtës. Ai ka cilësinë për të marrë topin nga mbrojtja dhe për të qarkulluar topin. Ne mendojmë se ai mund të luajë aty. Më pëlqen që mesfushorët të luajnë në qendër të mbrojtjes, sepse ata mund të bëjnë pasime të mira”, – shpjegoi 45-vjeçari.
Guardiola që tani po e shijon jetën te Manchester City dhe ka vetëm fjalë të mira dhe mirënjohje për qëndrimin e lojtarëve të tij.
“Dua të falenderoj shumë lojtarët e mi për mënyrën se si stërviten, për mënyrën se si përpiqen të më kuptojnë. Çdo trajner ka idetë e tij nga fillimi për të folur, për të stërvitur e për të njohur mënyrën se si ata duan të jetojnë. Kjo është e gjitha”, u shpreh ai.
Si për të treguar se ka ndryshuar dhe se tani e tutje – ndryshe nga sa është akuzuar te Bayerni do t’i japë rëndësi aspektit njerëzor dhe emocional, Pep e mbylli duke thënë se lojtarët, në fund të fundit, janë thjesht qenie njerëzore.
“Për një trajner është e pamundur të fitojë nëse lojtarët nuk duan, por ky nuk është rasti. Ata janë qenie njerëzore dhe lojtarë të mëdhenj”, – përfundoi “qytetari i parë” i Manchesterit.
https://youtu.be/0cOFq5O1bII?t=2