Menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thënë se Lionel Messi duhet të mbetet në Barcelona dhe të përfundojë karrierën e tij në klub.
Kontrata e argjentinasit përfundon në fund të sezonit aktual dhe spekulimet kanë qenë të mëdha në lidhje me karrierën e tij që kur ai deklaroi se dëshironte të largohej nga Barcelona në verën e vitit 2020.
Manchester City i Guardiolas dhe gjigandi francez PSG, të cilët u përballën me njëri-tjetrin në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve mbrëmë, janë lidhur shumë si favoritë për të nënshkruar me Messin.
Rreth kësaj çështje ka folur trajneri i Cityt, Guardiola, i cili në të kaluarën ka punuar bashkë me Messin te Barcelona, duke fituar çdo trofe të mundshëm.
“Unë shpresoj se ai mund ta përfundojë karrierën e tij në Barca. Messi nuk do të gjejë një shtëpi më të mirë sesa në Barca”, ka thënë fillimisht Guardiola.
“E vetmja gjë që duhet bërë është të kthehemi te origjina e asaj që e bën klubin të veçantë”, përfundoi trajneri katalunas.
Kontrata e Messit me klubin spanjoll përfundon pas dy muajsh dhe nuk ka asnjë tregues se çfarë planifikon të bëjë fituesi i Topit të Artë nga sezoni i ardhshëm.