Komuna e Prishtinës njofton qytetarët se për nder të festës së 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, në drejtim të Gërmisë do të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve, përveç autobusëve të “Trafiku Urban”, linja 4, automjetet e Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe automjeteve emergjente, derisa linja 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit të rregullt deri në lagjen “Sofalia”.
Pika përfundimtare për lëvizjen e lirë të automjeteve, përveç banorëve të lagjeve: “Normale”, “Sofalia” , “Tauk-Bahqe” dhe restoranteve – vilat: “Freskia” dhe “Lira” , do të jetë kryqëzimi i rrugëve “1 Tetori” – “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paqarizi”; kryqëzimi i rrugëve “Nazim Gafurri” – “Xhavit Ahmeti” dhe “Dr. Lec Gradica”; kryqëzimi i rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë, në drejtim të pishinës dhe parkut “Gërmia”.
Transporti publik i qytetarëve për në parkun “Gërmia” deri te pishina, do të bëhet ekskluzivisht me autobusë të “Trafiku Urban”, Iinja 4.
Në një urdhëresë të lëshuar nga komuna thuhet se inspektorët përgjegjës të Drejtorisë së Inspeksionit, do të parandalojnë shërbyesit e paautorizuar që të bëjnë shitjen, shërbimin ndaj qytetarëve dhe do të organizojnë kujdestari, me qëllim të ruajtjes së ambientit.