Nga viti 2006 e deri në fund të vitit 2016, për dhjetë vite qeverisje, VMRO në koalicion më dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSh, kanë harxhuar gjithsej 25 miliardë euro. Kështu thuhet në analizën e përgatitur nga magazina ekonomike “Kapital”, bazuar në llogaritë përfundimtare të buxheteve nga vitit 2007 deri në fund të vitit 2016.
“Dhjetë vitet e fundit qeverisje, pushteti ka harxhuar 25 miliardë euro para të qytetarëve, ndërkaq për projekte kapitale ka investuar vetën 1.2 miliardë euro apo 5 për qind nga vlera e përgjithshme e dhjetë buxheteve të miratuara”, thuhet në këtë analizë.
Të dhënat e kësaj analize tregojnë se si është harxhuar çdo denarë i grumbulluar në buxhet nga tatimet e qytetarëve si dhe parat e huazuara përmes euro-obligacioneve, gjegjësisht 90 për qind e parave të buxhetit janë harxhuar për qëllime joproduktive. Analizuar sipas viteve, më shumë para nga buxheti Qeveria ka harxhuar për ndërtimin e objekteve të ndryshme dhe atë më së shumti janë harxhuar gjatë vitit 2015, gjithsej 176,4 milionë euro, ndërsa më së paku janë investuar në vitin 2007, rreth 79 milionë euro, nga 210 milionë euro të parapara për investime kapitale.
“Është tepër shqetësues fakti se 1.2 miliardë euro të harxhuara për investime kapitale, 50 për qind e këtyre kanë shkuar për ndërtimet e ndërtesave administrative, fasadave dhe objekte tjera nga projekti “Shkupi 2014”, thuhet në analizë, transmeton KOHA. Pikërisht ndërtimet e objekteve të këtij projekti, gjegjësisht kompanitë e angazhuara nga Qeveria e Maqedonisë për realizimin e punëve ndërtimore kanë inkasuar nga shteti pothuajse gjysmën e parave të investimeve kapitale prej 1.2 miliardë euro apo mbi 600 milionë euro pushteti ka harxhuar për ndërtimin e projektit “Shkupi 2014”.
“Investimet kapitale të përgjithshme për 10 vitet e fundit apo 44,6 për qind nga shuma e përgjithshme e buxheteve prej 25 miliardë, janë harxhuar edhe për të blerë vetura dhe automjete tjera, mobile, dotacione për komunat që kapin vlerën prej 2.7 miliardë euro”, thuhet mes tjerash në këtë analizë.
Gjithashtu, për një dekadë pushteti vetëm për rroga në administratën publike ka harxhuar 3,8 miliardë euro, ndërsa për pensione rreth 6 miliardë euro.
“Është interesante se gjatë këtyre dhjetë viteve qeverisje, qeveria në ikje nuk ka rritur asnjëherë të realizon vlerën e paraparë të investimeve kapitale. Edhe pse me buxhetet e dhjetë viteve të miratuara, kjo qeveri, nga 3.4 miliardë euro të parapara si investime kapitale, ka arritur të realizon vetëm 1.2 miliardë euro”, thuhet në analizën e përgatitur nga magazina javore ekonomike “Kapital”.