Ministri i Tregtisë, i Turizmit dhe i Telekomunikacionit i Serbisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar se për shkak të vënies së taksës 100 për qind për mallrat e Serbisë, gjatë tre muajve të fundit në Kosovë janë plasuar 90 milionë euro më pak mallra se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ai thotë se për taksën gjithnjë e më shumë po flitet si për një çështje të pazgjidhur politike dhe kjo, sipas tij, e pengon zhvillimin e dialogut ndërmjet Serbisë e Kosovës.
“Ne më 21 shkurt do ta kemi bilancin e saktë të gjendjes se sa më pak mallra janë eksportuar. Deri më tash, për 80 ditë, janë eksportuar 90 milionë euro më pak mallra në Kosovë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. Tregtia ka rënë në minimum ose po punon kontrabanda, sepse në Kosovë ka mallra serbe”, ka thënë për TV Pink Lajiq.