Për arsye humanitare, Jakup Krasniqit i lejohet vizita në Kosovë

Prishtinë | 10 Tet 2024 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim që i akuzuari Jakup Krasniqi të lejohet për vizitë në Kosovë për arsyeje humanitare për t’u takuar me familjen e tij të ngushtë.

Sipas njoftimit të DhSK-së, kjo vizitë e Kransiqit po bëhet nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje të z. Krasniqi në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndryshe, me 5 tetor 2024 ka vdekur vëllai i Jakup Krasniqit, A.K ndërsa ditë më parë Specialja nuk tregoi në rast që Krasniqi do të lejohej për vizitë në Kosovë.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep tha se kuadri ligjor i DhSK-së lejon personat e ndaluar që të bëjnë kërkesa pranë panelit kompetent ku ka bazë humanitare për çka paneli do të vendos më pas.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Të ngjashme