Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka nisur të hënën përgatitjet për ndeshjen më të rëndësishme në histori të saj.
Ndonëse Kosova ka luajtur me përfaqësuese të mëdha, së fundi me Çekinë dhe Anglinë, është ndeshja me fqinjin, Malin e Zi, që tani vlerësohet si më e rëndësishmja në histori.
Kosova e pret Malin e Zi më 14 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa është përzgjedhësi Bernard Challandes që të hënën ka dhënë një vlerësim të tillë. Mali i Zi është jashtë garës për kualifikim në “Euro 2020”, garë në të cilën Kosova qëndron fuqishëm. Dhe për të ëndërruar deri në fund kualifikimin, Kosovës i kryen punë vetëm fitorja në përballje me Malin e Zi, shkruan sot Koha Ditore.
Kosova fillimisht të enjten luan miqësore me Gjibraltarin. Më pas të hënën tjetër takohet në sfidën vendimtare me Malin e Zi.
Challandes nuk i është ndarë stilit të tij të veçantë në konferencën për shtyp, që e bëri figurë mjaft të përcjellë nga mediet ndërkombëtare muajin e kaluar. Ka ngritur zërin herë pas here, ka përsëritur fjalë e ka dhënë shpjegime të thukëta.
Ai ka thënë se kjo javë është shumë e rëndësishme për Kosovën. Ka thënë se ndeshja me Gjibraltarin shërben për t’u përgatitur për ndeshjen me Malin e Zi, përkatësisht për t’iu dhënë hapësirë lojtarëve që luajnë pak me Kosovën e pak me klubet e tyre.