Qendra për Punësim në Komunën e Ferizajt gjatë dhjetë ditëve të fundit është përballur me rritje të numrit të kërkesave të qytetarëve për regjistrim si të papunë me qëllim të përfitimit nga pakoja emergjente e Qeverisë së Kosovës. Deri tash nëpërmjet platformës elektronike “online” kanë aplikuar mbi 5 mijë qytetarë, shkruan KOHA.
Drejtori i kësaj qendre, Naim Gashi, ka thënë për KOHËN se janë duke i shqyrtuar të gjitha aplikacionet e qytetarëve, të cilët po synojnë të jenë përfitues të pakos prej 130 eurove nga Qeveria e Kosovës. Sipas tij, të drejtën e përfitimit të kësaj pagese e kanë familjet të cilat nuk e kanë asnjë të punësuar në sektorin publik dhe privat.
“Në fillim kemi pranuar rreth 1200 aplikacione fizike, mirëpo për shkak të frekuentimit të madh të qytetarëve është dashur ta mbajmë rendin me Policinë e Kosovës, ndërkohë Qeveria rekomandoi që aplikimi të bëhet online. Andaj deri tash mbi 5 mijë aplikacione kemi pranuar nga qytetarët si të papunë”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, nuk është e nevojshme të gjithë anëtarët e familjet të regjistrohen si të papunë, por vetëm një anëtar i familjes, ndërkohë për të qenë përfitues të pakos emergjente aplikacionet mund të bëhen në zyrat e Qendrës për Punë Sociale dhe në Ministrinë e Financave nëpërmjet platformës “online”.