Për ditën e çlirimit, në Kosovë pritet të vijnë Clinton dhe Albright

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Për nder të ditës së çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të NATO’s, vendin tonë pritet ta vizitojnë Hillary Clinton dhe Madeleine Albright.

Për të nderuar personalitetet kryesore ndërkombëtare që kontribuan në intervenimin dhe çlirimin e Kosovës,  presidenti aktual, Hashim Thaçi  dhe tre ish presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga, më 12 qershor do të organizojnë pritje madhështore në Prishtinë.

Ndërsa organizimin do ta bëjë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo do të merret me dërgimin e ftesave për këto personalitete.

Ballkani.info, raporton se në  këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe dy ish sekretaret e shtetit amerikan, Madeleine Albright dhe Hillary Clinton.

“Më 26 mars 2019, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATOs në Kosovë. Ky këshill udhëhiqet nga Presidentja Jahjaga. Këshilli Organizativ ka mbajtur takimin e parë dje, dhe është në proces të krijimit të listës së të ftuarve për ngjarjen. Detaje të tjera të ngjarjes do të publikohen me kohë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Jahjagës.

Në kohën e intervenimit dhe të çlirimit të Kosovës, Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Ndërsa, Cliton aso kohe ishte Zonja e Parë e Amerikës, pasi që bashkëshorti i saj, Bill Clinton mbante postin e presidentit. Dhe njihet për ndikimin e madh që kishte për ndërhyrjen.

Më 12 qershor Kosova shënon 20 vjetorin e çlirimit.

Të ngjashme