Komuna e Lipjanit ka përuruar objektin e ri në Ditën e Flamurit, 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, tha se pikërisht në këtë festë të madhe të Kombit kanë vendosur të bëjnë inaugurimin e objektit të ri të Komunës, duke e cilësuar këtë ditë të veçantë.
Ahmeti tregoi se i gjithë projekti ka kushtuar 1 milion e 950 mijë euro, i financuar 100% nga mjetet e buxhetit komunal. Sipas tij, objekti i plotëson të gjitha standardet dhe do të mundësojë shërbime cilësore për qytetarët.
Në prerjen e shiritit ishte ftuar dhe Zejnepe Gashi, ose siç e thërrasin të gjithë Halla Zepe, e cila ka pesë anëtarë të familjes së vrarë në luftë, në Sllovi të Lipjanit. Po ashtu, pjesë e ceremonisë solemne ishte dhe ish-kryetari i Komunës, Shukri Buja.
Ahmeti ka folur fillimisht për historinë e Lipjanit, i cili si qytezë ishte shpallur në vitin 1920, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore organizohet si Komunë. “Sot, Komuna e Lipjanit është ndër komunat me të mëdha sa i përket territorit”.
“Lipjani si vendbanim ka histori shumë të vjetër, por si qytezë është shpallur në vitin 1920. Si rezultat i disa ndarjeve territoriale fillojnë të riorganizohen edhe shërbimet administrative. Lipjani ka qenë qendër e këshillave lokale. Pas Luftës së Dytë Botërore Lipjani organizohet si komunë me subjektivet të veçantë prej kur daton edhe administrata e vjetër e komunës”.
Ai theksoi se dita e sotme është dyfish e veçantë. “Sepse po inaugurojmë një objekt të veçantë që i plotëson standarde për shërbime cilësore për qytetarë. Nga një hapësirë e vjetruar sot po zë vend një objekt që e zbukuron qytetin tonë. Po e inaugurojmë objektin e ri në 110-vjetorin e flamurit kombëtar, në ditëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe në ditën e daljes së UÇK-së”.
“Nga sot ky objekt plotëson kriteret e punës dhe do të ofrojë shërbime cilësore. Ky objekt është dhuratë e qytetarëve lipjanas, për Komunën, sepse është financiar nga taksa e qytetarëve. Vlera e këtij objekti është 1 milion e 950 mijë, duke përfshire pajisjet. E veçanta është se ka bodrum 900m2”.
Komuna e Lipjanit ka sqaruar se objekti i Komunës është i ndërtuar dhe i financuar 100% nga mjetet e buxhetuara (të hyrat vetanake), përkatësisht nga taksat e qytetarëve të Lipjanit.
Pavarësisht memorandumit që kjo komunë ka pasur për bashkëfinancim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), më vonë MAPL-ja është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe të gjitha obligimet i kanë mbetur Komunës së Lipjanit.