Për dy javë 962 fluturime – Mbi 127 mijë udhëtarë kaluan në Aeroportin e Prishtinës

Prishtinë | 13 Jan 2024 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Që nga 1 janari kur edhe ka filluar zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave e deri të premten, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, kanë kaluar 127 mijë e 457 udhëtarë, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka bërë të ditur përmes telefonit për Ekonomia Online, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, teksa shtoi se numri i fluturime për këtë periudhë ka shkuar mbi 900.

“127 mijë e 457 udhëtarë kanë udhëtuar përmes ANP ‘Adem Jashari’. Në total janë 962 fluturime”, deklaroi Gara.

Vlen të theksohet se në rritjen e numrit të fluturimeve ndikim ka pasur edhe një numër i madh i bashkatdhetarëve të cilët kanë ardhur në Kosovë për festat e fundvitit.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

Më poshtë ua rikujtojmë edhe njëherë se cilat dokumente udhëtimi duhet t’i keni me vete kur udhëtoni në zonën Shengen:

– Pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen);

– Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit në zonën Shengen;

– Dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit apo detajet e vendit ku do të qëndroni;

– Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;

– Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;

– Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare.

Të ngjashme