Trendi i ikjes së qytetarëve nga Kosova po vazhdon akoma. Për dy vite, Gjermania ka pajisur me viza për qëndrime afatgjate mbi 25 mijë kosovarë.
Ky trend u ndalua pak në kohën e pandemisë. Nga fillimi i vitit 2020 dhe deri në korrik të vitit 2021, për shkak të masave kufizuese, Gjermania lëshoi vetëm viza për kategori të caktuara.
“Për shkak të pandemisë COVID-19 që nga fillimviti 2020 deri më 4 korrik 2021 kanë qenë në fuqi kufizimet e udhëtimeve hyrëse drejt Gjermanisë. Prandaj gjatë vitit 2020 dhe 2021, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka mundur të lëshojë vetëm viza për kategori të caktuara që kanë qenë të përjashtuara nga këto kufizime, për shembull viza për bashkim familjar, për studime dhe kategori të caktuara të vizave të punës për punëtorë me kualifikim të lartë”, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë.
Megjithatë, vetëm gjatë viteve 2019 dhe 2020, mbi 25 mijë kosovarë janë pajisur me viza gjermane për qëndrim afatgjatë, qoftë bashkim familjar apo viza pune.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në përgjigjen për Demokracia.com ka bërë të ditur se në vitin 2019 ka lëshuar më shumë se 50 mijë viza, rreth 36 mijë prej tyre kanë qenë afatshkurtra dhe rreth 15 mijë të tjera kanë qenë viza nacionale për qëndrim afatgjatë.
Ndërsa, gjatë vitit 2020 janë dhënë rreth 18 mijë viza, 8 mijë ishin afatshkurtra dhe 10 mijë të tjera për qëndrime afatgjate.
“Para pandemisë, në vitin 2019, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar më shumë se 50.000 viza. Prej tyre rreth 36.000 viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtra (viza schengen), si dhe rreth 15.000 viza nacionale për qëndrime afatgjata (d.m.th. për bashkim familjar, viza pune, viza studimi, etj). Për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia COVID-19, në vitin 2020, Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka lëshuar vetëm 18.000 viza. Këtu përfshihen 8.000 viza afatshkurtra dhe 10.000 viza për qëndrime afatgjate. Shumica e këtyre vizave të lëshuara kanë qenë për qëllime të bashkimit familjar, meqë kjo kategori ka qenë e përjashtuar nga kufizimet e udhëtimit”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Demokracia.com.
Ambasada tutje thotë se në vitet e kaluara i ka rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza, ashtu që zyra e vizave tani është njëra nga zyrat gjermane më të mëdha të vizave në botë.
“Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes fatkeqësisht ka qenë e pashmangshme”, thonë nga kjo ambasadë.
Ambasada e Gjermanisë nuk ka treguar sa ka qenë numri i personave që kishin aplikuar për vizë në vitin e kaluar dhe në mënyrë specifike sa prej tyre kishin aplikuar për viza pune.
Gjatë vitit të kaluar, Ambasada e Gjermanisë kishte ndryshuar procedurat për dhënien e terminëve për viza.
Përmes një njoftimi, ambasada kishte bërë të ditur se “për shkak të kërkesës tejet të lartë për caktim të terminëve, e cila i tejkalon dukshëm terminët që janë në dispozicion, duke filluar nga dhjetori 2021 terminët do të caktohen nëpërmjet procedurës së tërheqjes së shorti”.