Rreth 700 pacientë kosovarë janë referuar për shërim jashtë vendit ose nëpër klinikat private shëndetësore në Kosovë vetëm brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, pasi shërbimet e tilla s’kanë mundur t’i kryejnë në institucionet publike shëndetësore, transmeton Klan Kosova.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Klinika e Oftalmologjisë, e Ortopedisë, e Pediatrisë dhe ajo e Onkologjisë prijnë me referime për shërim shëndetësor janë vendit. Ndërsa vendet ku më së shumti pacientët shkojnë për trajtim janë: Turqia, Maqedonia e Shqipëria.
“Gjatë vitit 2019 në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, respektivisht në Programin për Trajtimin Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, kanë aplikuar 661 persona. Vendet ku më së shumti shkojnë për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, përveç Kosovës, janë: Turqia, Maqedonia, Shqipëria dhe vende të ndryshme të Bashkimit Evropian”, është thënë për “Zërin” nga zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.