Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu, para Bordit Drejtues të SHSKUK-së ka paraqitur raportin gjashtëmujor të vitit 2018.
Në fillim të raportimit, ai njoftoi se është bërë riorganizim i brendshëm me strukturë të re organizative në SHSKUK, planifikim i mirëfilltë i kërkesave për pajisje mjekësore për njësitë përbërëse të SHSKUK-së. Sipas tij, pajisjet e para veç kanë ardhur, përderisa në procedurë të liferimit janë edhe paisje të tjera që do të mundësojnë punë më kualitative në klinikat e QKUK-së.
Si hap i rëndësishëm për përmirësim i shërbimeve kualitative, ai përmendi edhe funksionalizimin 24-orësh, në Shërbimin e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, përmirësimi dhe rinovimi i hapësirave të emergjencës, projektin e ambulancave dhe administratës dhe projekte të tjera.
Duke prezantuar statistikat e punës, ai njoftoi anëtarët e Bordit Drejtues se në periudhën, janar-qershor2018, u ofruan 3.6 milion shërbime, 444 mijë ditë shërimi, me 83 mijë pacientë të shtrirë. Po ashtu, në SHSKUK, për gjashtë muaj, janë kryer 21 mijë operacione, 675 mijë shërbime ambulantore.
Në këtë periudhë kohore janë ofruar 1.4 milion shërbime (parametra) laboratorike janë për 247 mijë pacientë.
Sipas raportit, në këtë periudhë kishte 10886 lindje, 61893 shërbime të dializës.
Shërbimi i Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive gjatë kësaj periudhe ka kryer 647 stentime, 1159 Koronarografi dhe 104 operacione kardiokirurgjike.