Organizata për të drejtat e njeriut KMDLNj, ka reaguar ndaj deklarateve të Kryetarit të Mitrovicës Veriore Goran Rakiq.
Shkrimi i plotë:
Kryetari i Mitrovicës Veriore ( pjesë e ndarë dhunshëm ) , Goran Rakiq , nuk lë rast pa e theksuar se veriu i Kosovës dhe të gjitha vendet ku jeton edhe një serb i vetëm janë Serbi dhe se kryetar i tij është Aleksandar Vuçiqi dhe jo Hashim Thaçi ndërsa që shteti që e përfaqëson qenka Serbia dhe jo Kosova në ndërkohë që nga Buxheti i Kosovës merr pagë të majme dhe po nga Kosova i shfrytëzon të gjitha beneficionet e mundshme , që nga keq- përdorimi i veturave zyrtare e deri te asetet tjera . Për çdo veprim politik a parapolitik , ai shkon në Serbi e jo në Kosovë për këshilla apo marrje të lejes për veprim politik apo paramilitar . Që nga fillimi e deri te përfundimi i funksionalizimit të urës mbi lumin Ibër , ka qenë kundër hapjes së kësaj ure dhe kundër lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët , pavarësisht përkatësisë etnike , fetare , gjinore apo statusit në shoqëri ! Pasi kryeministri Haradinaj vendosi taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja , Goran Rakiq , me kryetarët e tjerë serbë të pjesës veriore dhanë dorëheqje nga posti por jo edhe nga pagat dhe beneficionet tjera duke e bllokuar jetën institucionale në veri. Pasi presidenti Thaçi , në kuadër të mandatit kushtetues shpalli zgjedhje lokale në veri , po i njëjti Goran Rakiq , me kryetarët tjerë nga Lista Serbe i fituan zgjedhjet lokale duke ushtruar dhunë dhe terror mbi subjektet tjera serbe që , për shkak të pasigurisë nuk morën fare pjesë në këto zgjedhje lokale. Pas certifikimit të këtyre rezultateve , kryetarët e vjetër dhe sabotues ndaj shtetit të Kosovës deklaruan se përsëri mund të japin dorëheqje dhe këtë vendim do ta marrin pas konsultimeve me krerët e Serbisë . Në ndërkohë , Goran Rakiq i quajti kriminelë udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës sikur që i quajti terroristë edhe policët e Kosovës që intrevenuan në veri të Kosovës , krejtësisht mbështetur në ligjet e vendit e që kryenin detyrën duke arrestuar shkelës të ligjit , shumica policë të Kosovës të të gjitha përkatësive etnike ( serbë , shqiptarë , boshnjak etj. ) . Intervenimi i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe në disa lokacione brenda Kosovës sikur edhe trajtimi i të arrestuarve ishte në përputhje të plotë me ligjin dhe të drejtat e njeriut.
Nuk është hera e parë që Goran Rakiq fyen në mënyrë aq të paskrupullt udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës sikur që e mohon shtetin e Kosovës duke e konsideruar si pjesë të Serbisë dhe këtë e bënë falë Buxhetit të Kosovës e që në asnjë vend në botë nuk do të lejohej. Për këtë arsye , KMDLNj kërkon që ndaj Goran Rakiqit dhe të tjerëve të fillojnë hetimet ex – offitio nga autoritetet përkatëse dhe se për këtë aktivitetet armiqësorë ndaj shtetit të Kosovës të jep llogari para ligjit. Vet kërcënimi se do të japin dorëheqje pas takimit të Parisit dhe në pajtueshmëri të plotë me shtetin e Serbisë paraqet argument të mjaftueshëm të hetohet dhe gjykohet për shpërdorim të Buxhetit të Kosovës për faktin se për organizim të zgjedhjeve lokale janë shpenzuar afërsisht 800.000 euro nga Buxheti i Kosovës . Nëse Goran Rakiq deklarohet se është shtetas i Serbisë dhe se vetëm Vuçiqin e konsideron president të vetin si dhe Serbinë shtet që i bindet dhe i shërben atëherë ai duhet të trajtohet nga autoritetet kosovare në përputhje me këtë deklarim dhe sjellje !
KMDLNj konsideron se të gjithë ata që i fyejnë institucionet e Kosovës , pavarësisht përkatësisë etnike dhe të tjera duhet të sanksionohen me ligj dhe se të gjithë ata që punojnë kundër intereseve shtetërore duke i shërbyer publiksht një shteti armiqësorë ndaj Kosovës duhet gjithashtu të sanksionohen me ligj sikur që nuk duhet të paguhen për këtë shpërfillje dhe dëmtim që i bëjnë shtetit të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet ta eliminojnë shprehjen e diskriminimit pozitiv , qoftë si term e lëre më si veprim për faktin se është një formulim politik dhe kundër të drejtave të njeriut . Kosova duhet të krijojë kushte për trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë qytetarët e saj pavarësisht përkatësisë etnike , gjinore , moshore , racore , bindjeve politike apo statusit në shoqëri që e obligon Kushtetuta e Kosovës dhe dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur që e bëjnë të gjitha vendet e botës e jo të krijojë rrethana diskriminuese ( për komunitetet tjera joserbe në Kosovë e që janë bashkëpunuese si dhe serbët e Kosovës e që gjithashtu janë bashkëpunues ) dhe rrethana favorizuese për serbët që përfaqësohen përmes Lista Serpska e që në asnjë mënyrë nuk duhet të përkrahen nga shteti i Kosovës !
Sipas KMDLNj tërësia teritoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe askush nuk ka të drejtë ta negociojë ( në çfarëdo forme qoftë ) tërësinë teritoriale . Për këtë arsye , Goran Rakiq është kundër intereeseve të Kosovës , kundër intereseve të serbëve të Kosovës dhe se aktiviteti i tij destruktiv dhe kriminal kundlr Kosovës duhet të ndërpritet me masa ligjore. Në të kundërtën , për mosveprim , vet shteti i Kosovës do të marrë përgjegjësi për përshkallëzim të mundshëm të situatës në Veri të Kosovës e që duket të jetë i paevitueshëm !