Investimet si asnjëherë më parë po prekin bujqit dhe fermerët ferizajas. Kësaj radhe, dhjetëra pajisje dhe mekanizëm tjetër bujqësor ishte përfitimi që ata patën si rrjedhojë e marrëveshjes së bashkëpunimit të Komunës së Ferizajt me Agjencinë Shtetërore për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), nënshkruar pak muaj më parë. Për t’i uruar dhe për t’i shpërndarë këto pajisje bujqve ferizajas, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami si dhe koordinatori për Kosovë i Zyrës së TIKA-s, Hasan Burak Ceran.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se qeverisja e tij ka orientuar një pako masash në drejtim të mbështetjes së bujqësisë dhe punonjësve në lëminë e agrobiznesit. Ai tha se kjo ngjarje e sotme, kjo mbështetje është dëshmia më e mirë se me vullnet, profesionalizëm dhe mirëplanifikim të fondeve, ndikohet në rritjen e ekonomisë lokale, përkatësisht ekonomive familjare të bujqve dhe fermerëve ferizajas, siç është rasti i sotëm ku u dhuruan mekanizëm bujqësor bashkëkohor për 20 bujq e fermerë ferizajas.
“Është një ngjarje e veçantë dhe ka kuptim të dyfishtë dhe rëndësi të dyfishtë për ne si Ferizaj dhe në mënyrë të veçantë edhe për vet fermerët ferizajas. Arsye e dyfishtë është se ne për herë të parë po fillojmë një plan të ri, një mbështetje të re për fermerët dhe bujqit tanë dhe ashtu është siç kishim premtuar në fakt sepse ne kishim premtuar që do të ndryshojmë planifikimet tona dhe mbështetja do të jetë më ndryshe sesa në të kaluarën për fermerët dhe bujqit tanë. Kjo është arsyeja e parë, kurse arsyeja e dytë është se ne për herë të parë po shtrijmë bashkëpunimin me TIKA-n dhe unë dua të falënderoj drejtorin që ka shtrirë prezencën, mbështetjen e tij në një projekt që ka rëndësi të veçantë për ne si Komunë por veçanërisht për fermerët dhe bujqit tanë. Kjo është dëshmia më e mirë se qeverisja jonë është e përkushtuar që të ketë mbështetje të vazhdueshme për fermerët tonë. Ju e patë që ne posa hapëm një panair për prodhimet bujqësore e që do të përfundoj sot, që tregon më së miri kemi masa dhe plane konkrete dhe të vazhdueshme për mbështetje ndaj fermerëve. Sigurisht se do të vazhdojmë edhe me projektet që kemi përmendur më herët, ajo për mbrojtjen e prodhimeve bujqësore por edhe mbështetje tjetër me mekanizëm bujqësor. Sot kemi filluar me këtë mbështetje me motokultivatorë por në proces të prokurimit është edhe një procedurë tjetër që ka të bëj me mbështetjen e fermerëve dhe bujqve dhe fermerëve me mekanizëm bujqësor, kjo tregon se jemi të vendosur të mbështesim fermerët dhe bujqsit sepse në të kaluarën jo gjithëherë me fonde të bujqësisë janë mbështetur bujqit e vërtet, respektivisht qytetarët tanë që merren me agrobiznes” tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Në anën tjetër, koordinatori i Agjencisë Shtetërore Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Hasan Burak Ceran tha se kjo përkrahje buron nga gatishmëria e qeverisjes lokale dhe marrëveshja e nënshkruar muaj më parë për të siguruar këto pajisje për bujqit dhe fermerët ferizajas.
“Falënderoj Kryetarin e Ferizajt për mbështetjen. Edhe ne jemi shumë të lumtur që po ju mbështesim në strategjinë tuaj për përkrahjen e fermerëve të Ferizajt. Ashtu siç e dini ne kemi nënshkruar memorandumin në lidhje me bashkëpunimin për projektin stimulimin e fermerëve me mekanizëm bujqësor dhe përkrahjen e bujqësisë bashkëkohore. Bashkërisht i kemi përcaktuar kushtet e përfituesve bashkërisht e kemi realizuar përzgjedhjen e fermerëve dhe së bashku me ekspertët e Drejtorisë së Bujqësisë i kemi vizituar një nga një fermerët në fermat e tyre. Sot njëzet fermerëve të Komunës së Ferizajt, i ndamë motokultivatorë së bashku me pjesët përcjellëse. Jemi të bindur që këto makineri do të kontribuojnë në përfitimet e fermeëve të cilët gjatë vizitës sonë i kemi parë që I kanë mbi 160 ari sera dhe 30 hektarë tokë dhe kjo besoj se do të ndikoj në rritjen e të ardhurave të tyre” tha Hasan Burak Ceran, koordinator i TIKA-s në Kosovë.
Bujqit ferizajas, të gëzuar dhe falënderues për këtë ndihmë që po i realizohet për herë të parë në këtë lloj dhe përmasë që rrit produktivitetin e punës së tyre dhe ndikon jashtëzakonisht shumë në ekonominë e tyre familjare, thanë se nisma të tilla janë të mirëseardhura dhe tejet të nevojshme për zhvillimin veprimtarisë së tyre e që paraqet burim jetese për familjet e tyre.