Federata Evropiane e Hendbollit e ka falënderuar Kosovën për idenë që dy ndeshjet që Serbia nuk lejoi të zhvillohen në Kovilovo, afër Beogradit, të zhvendosen në Prishtinë.
E ka shqyrtuar këtë ide, por nuk e ka miratuar të njëjtën.
Eugen Saraçini, kryetar i Federatës së Hendbollit së Kosovës, e ka konfirmuar këtë për portalin Koha.net.
Ai ka treguar se EHF-ja ka shqyrtuar idenë e FHK-së që dy ndeshjet të luhen në Prishtinë, nesër e pasnesër. Kjo ide i është prezantuar Sllovakisë dhe Norvegjisë, dy kombëtareve me të cilat Kosova nuk u la të luajë.
“Pas konsultimeve dy përfaqësueset për shkaqe të tyre vendosën mos të vazhdohet turneu në Kosovë, por të caktohen termine të reja. Ideja e FHK-së u vlerësua për fitoren e sportit ndaj politikës me gjithë presionin e trysninë që e kanë përjetuar gjatë qëndrimit në Serbi”, ka thënë Saraçini.
Delegacioni i Kosovës niset pas pak orës 14:00 për në Prishtinë.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë të premten mbajti një takim me ç’rast mori vendim që të mos e lejojë Përfaqësuesen e Kosovës U20 në hendboll për femra të zhvillojë dy ndeshjet e radhës ndaj Sllovakisë e Norvegjisë.
Për shkak të mos paraqitjes në ndeshje ndaj Kosovës, Serbia është dënuar nga Federata Evropiane e Hendbollit, duke u përjashtuar nga ky turne.