Danica Avramoviq dhe Anja Zhivkoviq janë dy studente nga Serbia të cilat tashmë e katër vjet marrin pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe, raporton Ekonomia Online.
Gjuha shqipe për Avramoviq dhe Zhivkoviq është interesante dhe jo e vështirë për t`u mësuar. Danica Avramoviq tha se për të tjerët është interesante zgjedhja e saj për të studiuar gjuhën shqipe.
Mirëpo për studenten nga Jagodina e Serbisë mësimi i gjuhës shqipe është një mundësi e mirë e përmirësimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Ndërsa për Anja Zhivkoviq, gjuha shqipe është një mundësi e mirë për të gjetur vende të punës në Serbi pasi atje jo shumë studentë e mësojnë këtë gjuhë, raporton EO.
Në Edicionin e 36-të të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe janë duke marrë pjesë studentë nga vende të ndryshme. Nga Gjermania këtë vit për herë të parë është duke marrë pjesë edhe Peter Ernst.
20 vjeçari Ernst për Ekonomia Online tha se gjuhën shqipe ka filluar ta mësoj nga shokët dhe shoqet shqiptar dhe se i është dukur interesante se si tingëllon.
Për Ernst është mjaft interesante edhe prania e madhe e studentëve nga Serbia, Polonia dhe shtete të tjera që nuk kanë marrëdhënie të mira me Kosovën.
Mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes këtij seminari po e sheh edhe dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Sejdiu-Rugova, raporton EO.
Madje sipas saj, këtë vit ka interesim të madh të studentëve nga Serbia që të vijnë të studiojnë në Universitetin e Kosovës dhe të diplomojnë e punojnë këtu.