Nata e parë gjysmëfinale e festivalit “Kënga Magjike” nisi mbrëmjen e kësaj të mërkure.
Por për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, ky kompeticion muzikor për herë të parë nuk është duke u zhvilluar në Pallatin e Koncerteve.
Ky është një nga momentet më emocionuese të producentit dhe autorit Ardit Gjebrea, i cili pas 22 vitesh ndërron destinacion.
“Pandemia fiku dritat e botës”, tha ai duke shtuar se “Kënga Magjike” do të zhvillohet këtë herë në një tjetër shtëpi të ëmbël.
“Pas 22 vitesh sonte ndërrojmë destinacion. Është e trishtueshme të shohësh dritat e shtëpisë fikur sepse ky pallat ka qenë dhe është shtëpia jonë magjike, por pandemia fiku dritat e botës, por mbi ne rrjedhimisht na mbylli derën e kësaj shtëpie përkohësisht, por ne kemi tjetër shtëpi, të ëmblën shtëpi”, vazhdon Gjebrea.
Këtë edicion përkrah Arditit në prezantim është edhe artistja Marsela Çibukaj – për të cilën ishte ëndërr të vinte në një pozicion të tillë.
Në skenën magjike në natën e parë performuan 15 këngëtarë ‘Big’ dhe 8 të tjerë të kategorisë ‘New Artist’.
Gjithashtu, ishin edhe 8 artistë ‘Big Internacional’ nga Greqia, Italia, Kroacia, Spanja, Belgjika dhe Gjeorgjia.