Për shkak të punimeve, seanca plenare e Kuvendit mbahet në një sallë tjetër

Prishtinë | 27 Qer 2024 | 10:58 | Nga Gzim Mujaj

Në ora 10:00 është paraparë që të nisë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite janë 32 pika.

Mirëpo kjo seancë sot nuk do të mbahet në sallën e zakonshme, por në një sallë tjetër, për shkak të renovimeve që janë duke u bërë aty.

Në mesin e pikave janë edhe votimi për themelimin e komisionit hetimor mbi përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe zhdukjen e mostrave të rastit “Dehari”.

Pritet të votohet edhe projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Do të shqyrtohen në lexim të dytë edhe Projektligji për zyrtarët publikë, ai për Komisionin e Pavarur për Media dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Për to, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë të mërkurën ka thënë se është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj.

Seanca do të mbahet në një sallë alternative dhe jo në atë të mbledhjeve plenare. Shkak janë punimet për rregullimin e sistemit të votimit elektronik në sallë, që, sipas Kuvendit, pritet të zgjasë deri në fund të gushtit.

Zhvillimi i punimeve plenare në salla të ngushta alternative është vlerësuar i vështirë për opozitën.

Të ngjashme