Për shkelje ligjore OSHP-ja ia anulon për herë të dytë tenderin ATK-së

Prishtinë | 19 Tet 2019 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Shkeljet e Ligjit të Prokurimit kanë bërë që për herë të dytë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ta anulojë vendimin për dhënie të kontratës të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për tenderin me titull “Shërbimet e sigurimit për asetet e sekuestruara nga tatimpaguesit sipas kërkesave dhe nevojave të Autoritetit Kontraktues”.

Kjo pasi që edhe këtë herë ankesa e operatorit ekonomik “Nazeri 2000 sh.p.k- dega në Kosovë”, është pranuar si e bazuar, shkruan Koha Ditore.

Tenderi, vlera e paraparë e të cilit është 100 mijë euro, është kthyer në rivlerësim për herë të dytë nga OSHP-ja, të enjten.

Menjëherë pas këtij vendimi, të premten, ATK-ja ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës për këtë tender. Tenderi të dyja herët i ishte dhënë kompanisë “Delta Security sh.p.k”.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik ‘Nazer 2000 sh.p.k – Dega Kosovë”, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull ‘Shërbimet e sigurimit për asetet e sekuestruara nga tatimpaguesit sipas kërkesave dhe nevojave të Autoritetit Kontraktues’ … iniciuar nga Autoriteti Kontraktues ATK”, thuhet në diapozitiv të vendimit të OSHP-së, ku shtohet se anulohet vendimi për dhënie të kontratës dhe lënda kthehet në rivlerësim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme