Shkaku i keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrim të institucionit, falsifikim dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare lidhur me avancat, 19 nëpunësve civilë u është ndërprerë marrëdhënia e punës gjatë vitit 2018, ndërsa 82 të tjerëve u është shqiptuar masë disiplinore. Prej këtyre 82 rasteve, 64 raste ishin shkelje të rënda, ndërsa 18 raste shkelje të lehta.
Këto të dhëna janë bërë publike në një raport të Ministrisë së Administratës Publike, ku theksohet se shkeljet e evidentuara janë kryer nga nëpunës civilë të të dy niveleve të administratës – lokale dhe asaj qendrore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të dhënat e këtij raporti tregojnë se shkeljet më të shumta janë bërë në Ministrinë e Shëndetësisë, ku 4 zyrtarëve iu është ndërprerë marrëdhënia e punës, ndërsa 5 të tjerë ishin pezulluar nga puna. Shkelje pati edhe në Policinë e Kosovës kryesisht për vepër penale korruptuese.
Për këtë dy zyrtarëve të këtij institucioni u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, ndërsa 4 zyrtarë të tjerë ishin liruar nga akuzat për korrupsion pasi që nuk ka pasur argumente për këtë çështje. Në këtë institucion një zyrtar ishte pezulluar nga puna deri në pritje të aktgjykimit nga gjykata përgjegjëse.