Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimet e tij për vendosjen e vazhdueshme të ushtrisë ruse rreth Ukrainës.
Më shumë trupa dhe pajisje ushtarake u dërguan në Bjellorusi sesa në çdo kohë tjetër në 30 vjetët e fundit, njofton Klan Kosova.
Rusia tani ka më shumë se 100,000 trupa të stacionuara pranë kufijve veriorë dhe lindorë të Ukrainës, duke ngritur shqetësimin se Moska mund të pushtojë përsëri – siç bëri në vitin 2014 – dhe duke destabilizuar ekonominë ukrainase. Zyrtarët rusë mohojnë se kanë planifikuar pushtimin e saj.
“Gjatë ditëve të fundit, ne kemi parë një lëvizje të konsiderueshme të forcave ushtarake ruse në Bjellorusi. Ky është dislokimi më i madh rus atje që nga Lufta e Ftohtë”, u tha Stoltenberg gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel.
Ai tha se numri i trupave ruse në Bjellorusi pritet të rritet në 30,000, me mbështetjen e forcave speciale, avionëve luftarakë të nivelit të lartë. Raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi Iskander dhe sistemet e mbrojtjes raketore tokë-ajër S-400.
Stoltenberg i ka bërë thirrje Rusisë që të depërshkallëzojë situatën dhe ka përsëritur paralajmërimet nga Perëndimi se çdo agresion i mëtejshëm rus do të ketë pasoja të rënda dhe një çmim të lartë.
NATO nuk ka ndërmend të vendosë trupa në Ukrainë nëse Rusia e pushton, por ajo ka filluar të përforcojë mbrojtjen e vendeve anëtare pranë
Ukrainës, veçanërisht Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë. Aleanca ushtarake prej 30 vendesh planifikon gjithashtu të forcojë mbrojtjen e saj në rajonin e Detit të Zi pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.