Nga muaji prill deri në qershor të këtij viti janë sekuestruar dhe konfiskuar asete në vlerë prej 4 milionë eurosh, raporton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi gjatë prezantimit të raportit tremujor për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.
Krasniqi, tha se për vitin 2018 vlera e sekustrimit dhe konfiskimit ka arritur në 22 milionë euro.
“Në tre mujorin e dytë 2019 bëhet fjalë për sekuestrim dhe konfiskim e aseteve prej 100 rasteve që kap vlerën shifra prej 4 milionë euro, mbetet edhe për ketë 3 mujor sfidë mbetet çështja e sekuestrimit”, tha Krasniqi.
“Ngrirjet dhe sekuestrimet kanë ndodh për vepra të ndryshme penale, brengë mbetet vendimet e papërfunduara të gjykatave që kanë të bëjnë me konfiskimin e thjeshtë”, shtoi ai.
“Prill-qershor totali i pajisjeve të sekuestruara arrin mbi 2 milionë euro. Viti 2018 ka qenë vit ku shuma e sekuestrimit dhe konfiskimit ka qenë mbi 22 milionë. Në 2019 deri tani shuma është mbi 3 milionë apo afro 4 milionë euro sekuestrime dhe konfiskime”, tha ai.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se kontabandim i mallrave dhe vjedhja e pyllit nuk është fare kompetencë e KPK-së.
Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, tha se çështja e konfiskimit po mbetet ende problem edhe pse sekuestrimi ka rezultate të mira.
“Konfiskimet janë brengë për ne, por nuk është rezultat që do mundemi me ndryshuar edhe në të ardhmen sepse është çështje e gjykatave”, tha Hyseni.
Raporti u votua pa rekomandime me 8 vota pro.
Në këtë mbledhje prokurorja, Laura Pula, ka prezantuar raportin gjashtë mujor nga janar deri në qershor 2019 të Komisionit Mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik.
“Janar-qershor performanca e procedurave të kallëzime penale dhe personave ka rritje të mirë edhe pse ka raste të trashëguara, 253 raste kanë mbetur pa u kryer, 108.23% është arrit norma e kryerjes. 214 lëndë me krime ekonomike janë proceduar, 110% janë kryer”, shton ajo.
Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli, tha se nuk është i kënaqur me performancën e prokurorëve.
Ai tha se një prokuror në Ferizaj ka arritur vetëm për një muaj t’i kryej 7 lëndë të korrupsionit dhe 41 të natyrave të ndryshme.
“Nuk jam i kënaqur me prokurorët për punën që po bëjnë, një prokuror për një muaj ka kryer 7 lëndë të korrupsionit, kur një prokuror i Ferizajt, Veton Shabani, i ka kryer 7 lëndë të korrupsionit në Ferizaj dhe 41 lëndë të natyrave tjera, tek të tjerët nuk e di se ku qëndron problemi. Krimet ekonomike janë të njëjta si në Ferizaj, Prishtinë e Prizren”, tha Ismajli.
Kryeprokurori, Lumezi tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë i trajton rastet më të ndërlikuara.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë i trajton lëndët me të rëndësishme që janë, Prishtina i ka rastet në të ndërlikuara se nivelet e prokurorive tjera themelore, por kjo nuk e arsyeton punën që ka bërë ky njësit”, tha ai.
“Sipas raportit për 6 muaj ditë janë 101 persona të akuzuar për nivel korrupsioni në gjitha prokuroritë e Kosovës nuk është numër i vogël, duhet mu dakorduar që edhe komisioni mbikëqyrës e kryeprokurorët e prokurorive përkatëse me iu dhënë me shumë rëndësi rasteve më të rënda të korrupsionit”, shtoi Lumezi.
Kryesuesi, Hyseni tha se herën tjetër të sillet një raport ku janë të paraqitura lëndët që prokuroritë janë të ngarkuara t’i kryejnë, raporton EO.
“Komisioni me e sjellë herën tjetër evidentimin e lëndëve që prokuroritë janë të ngarkuara”, tha Hyseni.
Është aprovuar ky raport duke rekomanduar që me iu dhënë mundësia në aspektin statistikor me u kyç në një lëndë.
Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, njoftoi se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të KPK-së dhe Axiom International dhe Agjencia të mbështetura nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
“Tani është nda një projekt nga Mbretëria e Bashkuar kemi krijuar partneritet të ri me Ambasadën Britanike me përfituesit e projektit jemi në kontakte të përditshme, një memorandum do të shkruhet me datën 5, i kemi dhënë rekomandimet bashkë me partnerin implementues”, njoftoi Hyseni.
