E kam jo të lehtë të flas për rastin që i ka ndodhur Valon Sylës sepse atë e kam koleg dhe mik me të cilin kam bashkëpunuar tash sa kohë. Por në anën tjetër kam qenë edhe kurbetqar, jo për dy, pesë apo dhjetë vite, por plot shtatëmbëdhjetë vjet e kom hangër bukën me shtatë korre dhe si i thonë fjalës ‘jom bo shpi’ në kurbet.
Edhe sikur krejt atyre konstatimeve të Valonit për diasporën ai t’ia shtonte përemrin ‘DISA’ unë prapë nuk do të pajtohesha me te e lëre më ashtu sikundër i ka thënë. Por e ndjejë të nevojshme ta them këtu atë që shumica e atyre që nuk e njohin apo e njohin pak nuk e dinë se Valoni ka sens të zhdërvjelltë dhe shumë të veçantë për humor dhe satirë. Ai në këtë fushë është i jashtëzakonshëm.
Shumë prej tyre që nuk e kuptojnë këtë segment të personalitetit të tij nuk e kuptojnë drejtë Valonin apo e keqkuptojnë shpesh. Duket se vet Valoni nuk e kupton se ky segment dhe sens i shkrimit të tij nuk kuptohet drejtë, për më keq ngjall revoltë e pezëm. Unë dhe disa miq të tjerë qysh moti i kemi propozuar Valonit që do të ishte mirë ta sprovonte veten në ‘stand up comedy’. Do të ishte shumë i mirë. Ato që ai i thotë për diasporën do të merreshin me më shumë sportivitet sepse do të ishin humor do të na bënin me qesh, natyrisht duke lënë të kuptohet se po flet për DISA jo me përgjithësime.
Por kështu si i ka thënë në postime e në portale ato na shtyjnë në gjithçka por nuk na bëjnë me qesh, përkundrazi. Si duket Valoni është edhe nga ata që nuk zbrapset lehtë dhe sulmet nga diaspora veçse ja kanë shtuar inatin dhe ja kanë humbur sensin e humorit.
Valoni është njeri i mirë, është më shumë se gazetar, apo thënë ndryshe është gazetar shumë i mirë me njohuri ekstra të mira sidomos në fushën e historisë. Pak gazetarë në Kosovë e njohin më mirë ta zëmë të kaluarën e Prishtinës e cila kohë të gjatë është treguar me gjysmë të vërteta zyrtare dhe me trillime të disa gjysmë intelektualëve.
Të kuptohemi, e drejta është kategori lëvizëse. Nëse dikush të shan ti ke drejtë jo ai që të shan. Por nëse ti e grushton pse të ka sharë e drejta lëviz në anën tjetër sepse ti ke tejkaluar mbrojtjen e të drejtës tënde. Nëse kësaj goditje me grusht ti i përgjigjesh me therje me thikë e drejta prapë lëviz në anën tjetër. Sipas kësaj logjike Valoni që nuk kishte të drejtë me atë që thoshte tash ka të drejtë me atë që pësoi. Ne duhet të pajtohemi se Valoni dhe të gjithë të tjerët kanë të drejtë të gabojnë kur shkruajnë dhe mendojnë por mbrojtja nga gabimi i tillë nuk bënë të tejkalohet me kërcënime e dhunë duke e rrezikuar fjalën e lirë, kurrë me asgjë.
Edhe diçka. Ata që nuk na e duan të mirën, e kohëve të fundit të tillë janë bërë shumë, sidomos në Evropën populiste, do ta shfrytëzojnë këtë rast për të na bërë keq. Ajo që i ndodhi Valonit ata do të mundohen ta paraqesin si një ngjarje në Kosovë të ngjashme me ato në disa vende arabe ku ai që bën mëkat gjuhet me gurë deri sa të vdes.
Histeria e miratimit të dhunës së ushtruar ndaj Valonit në rrjetet tona sociale veçse do ti ndihmoj këtij skenari djallëzor kundër nesh. Thua se po i shoh ekstremistët antievropian të Evropës duke thënë për ne – ata që ‘gjuajnë me gur’ për t’i ndëshkuar mëkatarët nuk meritojnë viza, as hyrje në Evropë.
Valoni do të pajtohet me diasporën se nuk bën ndryshe, e diaspora e jonë ashtu si edhe deri më tani duhet të na sjell në Kosovë më shumë Evropë që të mos përçahemi se kurrë nuk na është dashur më shumë që të jemi bashkë.