Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, miratoi ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qëllimi është kategorizimi i veteranit luftëtar të UÇK-së, si përfitues i pensionit dhe benificioneve të tjera, që përcaktohen në përputhje me kohën e mobilizimit dhe shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa tha se ky projektligj është dakorduar me përfaqësuesit e veteranëve, gjatë një takimi edhe me kryetarin e Kuvendit, sa i përket nevojës që për veteranët të ndahen 0.7 për qind të GDP-së vjetore.
Miratimin e Qeverisë e mori edhe vendimi për zgjatjen e mandatit të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është themeluar më herët me vendim të Qeverisë të datës 27.01.2012 dhe i plotësuar më vonë me vendimet e datës 21.11.2012 dhe të datës 13.5.2016 me të cilin vendim të fundit është përcaktuar përfundimi i mandatit të këtij Komisioni me 20.05.2016. Komisioni funksionalizohet me qëllim që t’i shqyrtoj aplikacionet e mbetura që kanë të bëjnë me statusin e dëshmorit të kombit të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit në periudha të ndryshme historike. Me qëllim të përfundimit të këtij procesi të rëndësishëm, është propozuar që ky komision të funksionalizohet dhe që deri më 20 janar 2017 ta përfundoj punën për shqyrtimin e aplikacioneve të mbetura për këtë kategori të përcaktuar me nenin 8 të Ligjit nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
Dënohet gjuha fyese ndaj ministres Dhurata Hoxha
Në fillim të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa në emër të Qeverisë ka dënuar gjuhën ofenduese të zyrtarit të Vetëvendosjes, ndaj ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dënoj ashpër gjuhën e rëndë dhe ofenduese të përdorur nga zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i cili para pak kohe ishte Avokat i Popullit, ndërkaq tani shfaqet me gjuhë të tmerrshme fyese, e ofenduese për një nënë, një zonjë, një ministre të nderuar të këtij kabineti qeveritar. Unë konsideroj se fjalori i përdorur nga z. Kurteshi ndaj ministres Dhurata Hoxha është i papranueshëm, është i pamoralshëm dhe një ofendim për të gjitha gratë e Kosovës. Qeveria e Kosovës kërkon nga z. Kurteshi dhe Lëvizja Vetëvendosje që të kërkojnë falje dhe të heqin dorë njëherë e përgjithmonë nga gjuha dhe veprimet ekstreme, që të shmangen nga diskursi i pa tolerueshëm dhe nga dhuna. Qeveria e Republikës së Kosovës, me këtë rast shpreh mbështetjen e plotë për ministren Dhurata Hoxha dhe angazhimet e saj në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore që asaj i takojnë. Qeveria e Kosovës fton qytetarët që të mos bien pre e përpjekjeve të disa eksponentëve dhe subjekteve politike që të fusin në diskursin politik dhe në veprimtarinë politike të Kosovës elemente të dhunës verbale e fizike dhe përdorim të mjeteve të dhunshme siç kanë bërë më herët duke vënë në rrezik edhe jetën e qytetarëve, policëve dhe zyrtarëve tjerë të shtetit të Kosovës. Përfundimisht dhuna verbale dhe fizike nuk duhet të kenë dhe nuk do të ketë vend në politikën kosovare”, ka thënë kryeministri Mustafa.