Fundjava që vjen ishte paraparë të ishte speciale për Amir Rrahmanin.
Kjo për faktin se përfaqësuesi kosovar do të përballej me shokun e tij tek “Dardanët”, Mërgim Vojvoda.
Më saktësisht, Torino dhe Napoli do të ballafaqohen në mes vete të shtunën duke filluar nga ora 15:00, shkruan “Gazeta Express”.
Por, përballja në mes të futbollistëve kosovarë mund të mos ndodhë për faktin se qendërmbrojtësi kosovar nuk ka ushtruar dje me ekipin, për shkak të problemeve fizike.
Mbetet të shihet nëse ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit dhe i Veronës do të ushtrojë sot dhe nesër para duelit të së shtunës me “Granata”.
Rrahmani është lojtar mjaft i rëndësishëm i Napolit këtë sezon dhe e ka bindur trajnerin Luciano Spalletti me kualitetet e tij.
Sidoqoftë, trajneri italian mund të mos rrezikojë, nëse e sheh që lojtari nuk është 100 për qind në dispozicion.
Rrahmani ka thënë se ndihet mjaft i lumtur në Napoli, por që ndërkohë mediat e huaja kanë spekuluar për një interesim eventual të Manchester United për shërbimet e tij.
Ndërkohë, Napoli është duke e përgatitur një kontratë afatgjate për mbrojtësin shtatlartë, të cilin dëshiron të “blindojë”.