Xhiroja e 21-të e Premier Leagues angleze do të sjellë përballje titanësh.
Java hapet me duelin e fortë ndërmjet Liverpoolit e Chelseat, të shtunën nga ora 13:30. Ndërkohë lideri, Arsenali, ballafaqohet me Manchester Unitedin në formë.
Ballafaqimet Arsenal – Manchester United dikur kanë vendosur Premier Leaguen, në kohën kur “revolveristët” drejtoheshin nga Arsene Wenger, ndërsa “djajtë e kuq” nga Alex Ferguson.
Arsenali është në pozitë të mirë për ta përfunduar pritjen prej dy dekadave për t’u bërë kampion i Anglisë.
Unitedi është kthyer në skuadër të fortë nën drejtimin e Erik ten Hagut. Ndeshja Arsenal – Manchester United luhet të dielën prej orës 17:30.
Arsenali prin në tabelë me 47 pikë nga 18 ndeshje.
Në pozitën e dytë është Manchester City me 42 pikë nga 19 ndeshje, kurse Unitedi është i treti me 39 pikë po ashtu nga 19 ndeshje të luajtura.
Herën e fundit Arsenali u shpall kampion në vitin 2004.
Në “Emirates Stadium”, Unitedi udhëton pa të suspenduarin Casemiro.
Arsenali ka fituar pesë nga shtatë ballafaqimet e fundit në shtëpi kundër Unitedit.
Në edicionin e kaluar fitoi 3:1.
3:1 fitoi edhe Unitedi në këtë edicion, në vjeshtë. Synon dy fitore kundër Arsenalit për herë të parë që prej vitit 2013.
Marcus Rashfordi mbetet i rrezikshëm për Arsenalin, pasi ka katër gola të realizuar e katër asistime, në dhjetë ndeshjet si titullar kundër ekipit londinez në Premier League. Për më tepër, Rashford po kalon superformë në xhirot e fundit.
Nga ana tjetër, Mikel Arteta mund të llogaritë në Gabriel Martinellin, i cili ka realizuar gjashtë gola e katër asistime në dhjetë ndeshjet e tij të fundit në “Emirates”.
Liverpooli dhe Chelsea takohen në “Anfield” të shtunën, por me synime të tjera në krahasim me edicionet e kaluara.
Liverpooli e Chelsea kanë fituar shumë trofe të rëndësishëm në edicionet paraprake, ndërsa tani “të kuqtë” dhe “blutë” pozicionohen në vendin e nëntë e dhjetë me nga 28 pikë. Pra janë jashtë garës për titull aktualisht.
Chelsea i kishte humbur shtatë nga dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, para fitores 1:0 kundër Crystal Palacet në vikendin e kaluar.
Trajneri Graham Potter mund t’ia jap rastin për të debutuar ukrainasit Mykhailo Mudryk.
Në 15 ballafaqimet e fundit, Liverpooli ka humbur vetëm dy herë nga Chelsea.
I ka gjashtë fitore, ndërsa shtatë ndeshje janë mbyllur baras.