Fillimi i punës së Komisionit të ri Evropian, ka të ngjarë të vonohet për një muaj, sepse Parlamenti Evropian ka refuzuar tre kandidatë të propozuar nga qeveritë e BE-së për komisionerë, thanë disa zyrtarë të BE-së.
Josep Borrell, shef i ardhshëm i politikës së Jashtme të BE-së, u tha gazetarëve në Luksemburg se është “e arsyeshme” të pritej një vonesë e fillimit të Komisionit të ri deri më 1 dhjetor nga data kur do duhej të fillonte punën që është 1 nëntori.
Vonesa mund të ndodhë pasi duhet dhënë kohë qeverive të Hungarisë, Rumanisë dhe Francës t’i propozojnë kandidatë të rinj për komisionerë pasi emërimet e tyre nuk arritën të kalojnë në seancat e Parlamentit Evropian.
“Programi se kur mund të fillojë punën saktësisht Komisioni i ri është në duart e tre qeverive dhe Parlamentit Evropian”, tha një zyrtar i BE-së.
Një datë e mundshme, për një votim parlamentar që do të miratojë përbërjen e Komisionit në tërësi është 28 nëntori, tha zyrtari.
Vonesat në marrjen e detyrës së Komisionit të ri kanë ndodhur edhe më herët.
Më 2004, organi ekzekutiv i BE-së, i kryesuar nga Jose Manuel Barroso pati një vonesë tre javore sepse parlamenti hodhi poshtë italianin, Rocco Buttiglione, për komisioner.