Paga minimale në Kosovë ka mbetur e pandryshuar tash e një dekadë. Megjithëse për këto 10 vite ka pas rritje të inflacionit vlera e kësaj page ka mbetur 170 euro, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, do të thotë më e ulëta në Evropë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kishte njoftuar në mars të këtij viti se norma vjetore e inflacionit e matur me muajin shkurt të vitit 2022, me muajin shkurt 2021, është 7.5 për qind, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë.
Bazuar në këto të dhëna dhe duke e ditur që paga minimale ka të bëjë vetëm me punëtorët e nivelit të cilët kanë pagën mujore më të ulët të mundshme, pra pragu nën të cilin nuk mund të kalojnë punëdhënësit sa i përket nivelit të pagesës mujore rritje të tilla sa i përket pagës minimale nuk ka pasur në Kosovë.
Andaj paga minimale tashmë është bërë temë diskutimi dhe tejet e nevojshme për punëtorët e sektorit privat në vend me qenë se ajo sillet rreth 130-170 euro, ky diskutim është thuajse i “pa zgjidhje” që nga paslufta.
Për rritjen e pagës minimale, vazhdimisht ishin bërë premtime elektorale nga subjekte politike që kanë udhëhequr deri më tani.
Ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një postimi që kishte bërë në rrjetin e tij sociale Facebook, kishte njoftuar se pas një takimi që kishin mbajtur me Këshillin Ekonomik Social (KES), ku temë diskutimi kishte qenë propozimi i pagës minimale sipas përllogaritje ishte prezantuar një shumë prej 240.20 euro në muaj të jetë paga minimale.
Mirëpo këtë propozim të pagës minimale nuk e ka votuar Këshilli Ekonomiko Social, pasi është hedhur poshtë nga sindikatat. Por, sa do të jetë efektive kjo pagë kur e dimë që në vend ka inflacion?. E, sipas njohësve të ekonomisë kostoja mesatare e një familje kosovare për t’i mbuluar shpenzimet elementare sillet diku deri në 700 euro.
Një e mirë pasi me rritjen e pagës minimale, do të minimizohet edhe informaliteti në tregun e punës. Pra, do të pamundësohet pagesa në zarf, e asnjë punëtor nuk do të mund të paguhet më pak se 170 euro.
Duke e pasur parasysh që paga minimale është 170 euro, me rritjen e saj pak a shumë do të përmirësohet edhe standardi i jetës. Sot, paguhet tatim edhe për pagat që janë mbi 80 euro, me projektligjin e ri i cili ka kaluar në Kuvend parashihet që pagat nga 0 deri në 265 euro tatimi në të ardhura personale do të jetë 0 në këtë mënyrë paga minimale nuk do të jetë e tatueshme.
Pavarësisht që është pozitive se paga minimale po rritet, nuk duhet të pritet më shumë se një dekadë për rritjen e saj. Vazhdimisht duhet të rritet vetëdija te punëdhënësit lidhur me respektimin e të drejtave të punëtorëve.
Duhet të bëhet më shumë për të siguruar një stabilitet për punëtorët e ekonomitë familjare.
Qeveria duhet të jetë më proaktive në përkrahje e që ndihmon punëtorët. Nuk duhet të harrojmë se paga minimale nuk përmbush dinjitetin e punëtorëve.