Vargu i përmotshëm i njerëzve i tha lamtumirën e fundit kryemjeshtrit të valles shqiptare, Rexhep Çeliku.
Partnerja e tij e skenës, artistja Liljana Cingu u nda me të sipas mënyrës së saj. E pikëlluar nga humbja e atij, që ajo e konsideronte më shumë sesa një vëlla, Lili Cingu tha:
“Rexhepi kur hapte krahun pushtonte skenën, duartrokitjet e spektatorëve dhe thoshte se kjo ishte krenaria e vendit tonë, shqipja. Por ai nuk iku për të mos u kthyer, sepse krahët i hap edhe atje ku do të shkojë”, u shpreh valltarja Liljana Cingu.
Ndërsa poeti Agim Doçi foli me 4 vargje për valltarin fluturues.
“Shko Rexhep vëllai sepse të pret Zoti
Atje në parajsë dhe në xhenet
Ishe dhe mbete Nderi i Kombit
Qe Rexhep vëllai, shqiponja e vërtetë
Zoti zgjedh, nuk mbledh”.
“Nuk do ta kemi më ta shikojmë Xhepin pranë, që të kërcejmë dhe të këndojmë me të. Është e tmerrshme, por vepra e tij është e pavdekshme”, u shpreh Irini Qiriako.
Edhe valltarët e ardhshëm bënë homazh për rreth dy orë në Muzeun Historik Kombëtar në kryeqytet.
“Artistë si Rexhepi janë të rrallë. Janë ata që, në momentin që dalin në skenë, skena ndriçon dhe nuk ka nevojë për reflektorë. Ai ishte një dritë e vërtetë”, tha sopranoja e njohur Inva Mula.
I ardhur nga Kosova pasi mori lajmin e hidhur, këngëtari dhe veterani i UÇK-së, Ilir Shaqiri nuk i përmbajti dot lotët.
“Ai ka pasur një energji ashtu siç e ka pasur edhe mbiemrin, të çeliktë. Krahët e tij nuk i nxë varri, ata krahë i ka marrë qielli herët”, tha Shaqiri.
Në homazhe ishte i pranishëm edhe presidenti Ilir Meta, i cili e nderoi disa ditë më parë me titullin “Nderi i Kombit” Rexhep Çelikun.
“Rexhep Çeliku e mundi sëmundjen në emër të dashurisë për Shqipërinë, për shqiptarët, për skenën. Për Rexhep Çelikun ka vetëm një vlerësim, ka përjetësi”, deklaroi Meta.
Rexhep Çeliku, “Mjeshtri i Madh” ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare, pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë.