Në qershor të këtij viti KQZ mori vendim për përdorimin e ngjyrës matrikuluese për shënjimin e personave që votojnë në zgjedhje. Lidhur me këtë çështje, Agjencia për Informim dhe Privatësi, përveç më 11 shtator, ia ka dërguar KQZ-së edhe një shkresë tjetër më 14 tetor. AIP thotë se ende nuk kanë pranuar përgjigje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që ngjyra e padukshme të zëvendësohet me ngjyrë të dukshme. Pra nëse dikush shkon për të votuar, para se ta hedhë votën do t’i shënjohet gishti me ngjyrë të dukshme, në mënyrë që ai person të mos votojë më shumë se një herë.
Pas këtij vendimi, KQZ u këshillua nga Agjencia për Informim dhe Privatësi që ta rishikojë përdorimin e ngjyrës matrikuluese dhe të merren në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit të drejtë zgjedhor.
Përveç 11 shtatorit, AIP një shkresë tjetër e dërgoi edhe më 14 tetor dhe deri më tani nuk kanë pranuar përgjigje nga KQZ për këtë çështje.
Kështu thanë nga AIP në një përgjigje për Gazetën Express.
“Në bazë të mandatit të saj ligjor dhe kompetencave që rrjedhin nga Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDhP) dhe akteve të tjera në fuqi, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), me datë 11 shtator 20224 ka dërguar në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), rekomandimet lidhur me vendosjen dhe përdorimin e ngjyrës matrikuluese gjatë procesit të votimit. Për të njëjtën çështje Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dërguar shkresën e dytë në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), me datë 14 tetor 2024 dhe deri tani në Agjenci nuk kemi pranuar përgjigje nga ana e KQZ-së për çështjen e adresuar, saktësisht për vendosjen dhe përdorimin e ngjyrës matrikuluese gjatë procesit të votimit”, thuhet në përgjigjen e AIP.
Dy ditë pasi AIP e rekomandoi KQZ’në që të rishikojë vendimin për ngjyrën matrikuluese, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, kishte thënë se do ta shqyrtojnë me kujdes këshillën e AIP.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pranuar këshillën e hartuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe do ta shqyrtojë me shumë kujdes atë. Sigurisht se KQZ do të njoftojë qytetarët me qëndrimin që do të mbajë”, ka thënë Elezi për EO më 13 shtator.
Mirëpo, KQZ nuk i është përgjigjur akoma pyetjeve të Gazetës Express nëse kanë ndryshuar qëndrim për këtë vendim.
Gazeta kishte siguruar letrën e shtatorit ku AIP e këshillon KQZ’në që ta rishikojë përdorimin e ngjyrës matrikuluese dhe të merren në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit të drejtë zgjedhor.
Agjencia për Informim dhe Privatësi i kishte thënë KQZ’së se ngjyra matrikuluese nuk përdoret në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas AIP kjo metodë praktikohet në Afganistan, Algjeri, Bahamas, Kamboxhia, Egjipt, Indi, Nigeri, Peru, Irak, Siri, Turqi e Venezuelë, por që është kritikuar edhe atje.
“Në vendet e Bashkimit Evropian praktika e evidentimit të votuesve, qoftë me ngjyrë të padukshme ose të dukshme, nuk aplikohet. Është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i kësaj praktike në vendet tjera të botës është bërë kryesisht për shkak të problemeve me lista zgjedhore, ku ekziston frika e votimit të shumëfishtë për shkak të mungesës së regjistrave të sakta dhe të përditësuara të votuesve, apo ku dokumentet e identifikimit të qytetarëve nuk janë të standardizuara apo të institucionalizuara, që në Republikën e Kosovës nuk është e nevojshme pasi që ka forma të tjera të cilat e verifikojnë mundësinë e votimit të dyfishtë. Praktika e shënjimit me ngjyrë matrikuluese (të dukshme) është aplikuar dhe vazhdon të aplikohet në vendet si: Afganistani, Algjeria, Bahamas, Kamboxhia, Egjipti, India, Nigeria, Peruja, Iraku, Siria, Turqia, Venezuela, Meksika etj., përderisa e njëjta praktikë është kritikuar për shkak të mundësisë së shkeljes së privatësisë dhe ekspozimit të votuesve ndaj presionit social ose politik.”
Në shtator, nga OSBE i kanë thënë Expressit që kësaj risie duhet t’i paraprijë një konsultim i hapur dhe i gjerë me të gjitha palët e zgjedhjeve dhe e ka inkurajuar KQZ’në ta bëjë këtë.
“Ngjyra e dukshme ose e pashlyeshme zakonisht përdoret si masë për të parandaluar votimin e shumëfishtë dhe për këtë arsye kontribuon në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor. Si çdo risi në procesin zgjedhor, asaj duhet t’i paraprijë një konsultim i hapur dhe i gjerë me të gjitha palët e zgjedhjeve. Andaj ne inkurajojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili është përgjegjës për zbatimin e masave që sigurojnë më së miri integritetin e zgjedhjeve në Kosovë, që të konsultohet me të gjitha palët e interesit në zgjedhje”, kanë thënë nga OSBE.
Ndërsa ish kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënëse AIP e ka rekomanduar drejtë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas saj, ky vendim i KQZ’së është kthim mbrapa në demokraci, derisa shton se jo secili qytetar dëshiron që të dihet nëse ka votuar ose jo.
“Mendoj që AIP ka vendosur drejtë dhe e ka rekomanduar drejtë KQZ’në sepse vendimi i KQZ’së që votuesit të shënjohen me ngjyrë matrikuluese është regres, kthim mbrapa në demokraci, sepse në Kosovë vazhdimisht është përdorur sprej jo me ngjyrë dhe janë shënjuar vetëm ata që kanë votuar dhe ka qenë e mundur të kuptohet se kush ka votuar përmes llampës ultavioletë. Vetëm fakti se po shënjohet me ngjyrë të zezë për mua personalisht ka qenë vendim jo i drejt dhe vendim që e ka kthyer Kosovën mbrapa dhe kërkund në Evropë nuk besoj që ka ndonjë shtet që përdor një ngjyrë të tillë. Mendoj që me këtë vendim në një lloj mënyrë është prekur privatësia e qytetarëve sepse jo secili qytetar ka dëshirë me dit a ka votu a jo, e drejta e votës është universale, diskrecionale e secilit qytetar të Kosovës”, tha Daka për Express më 12 shtator.
Sa i përket frikës për votim të dyfishtë, Daka ka thënë se ka mënyra tjera për ta evituar atë.
Ish kryetarja e KQZ-së tha se ky është një vendim i çuditshëm dhe se KQZ është dashur të gjejë mënyra për ta eliminuar këtë verifikim.