Në Klinikën e Psikiatrisë për momentin janë duke u trajtuar 92 pacientë të cilët janë të përdorues të substancave narkotike. Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Samire Gashi – Braina, shefe e Repartit të sëmundjeve të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë.
Gashi-Braina tha se krahasuar me vitet tjera, numri i personave që po kërkojnë ndihmë është pothuajse i njëjtë, duke hedhur kështu poshtë deklaratat të cilat qarkulluan në media se është rritur numri i pacientëve në Klinikën e Psikiatrisë, gjegjësisht në Repartin e sëmundjeve të varësisë.
“Numri i personave që po trajtohen edhe po kërkojnë ndihmë te ne është sikurse vitet paraprake, duke pasur parasysh periudhën e pandemisë, vitin e kaluar kemi pasur më pak. Mirëpo krahasuar me vitet tjera numri është i përafërt, pra nuk mund të themi se ka rritje të numrit të trajtueseve. Kështu që unë nuk mundem me deklaru ato deklarata paraprake si shefe e repartit… kështu që për momentin janë të shtrirë 92 pacientë”, ka deklaruar ajo.
Më tej, Gashi – Brania shtoi se pacientët të cilët janë duke u trajtuar janë më së shumti përdorues të heroinës.
Kurse sa i përket grupmoshave, doktoresha tha se pacientët janë mbi moshën 18 vjeç.
“Moshat janë prej 18 e tutje, mirëpo mosha minore nuk kem pas ketë periudhë të fundit, përderisa prej 20 e tutje po thuajse janë të rregullt. Pra, ne nuk mundemi të themi se është rritë numri dhe me shqetësu opinionin dhe familjarët e fëmijëve prandaj, duhet me maturi me i mat të dhënat, nga personat adekuat. Numri është në rritje, por ata që dëshirojnë me u trajtu është diçka tjetër, me përdor është diçka tjetër”, theksoi me tej ajo.
Doktoresha pohoi se në vitin 2020 kanë pranuar më pak raste për trajtim për shkak të coronavirusit.
“Viti pandemik ka qenë në total numër më i vogël që kanë kërkuar trajtim, përveç rasteve që kanë qenë të referuara nga gjykata, ata i kemi pranuar edhe rastet e rënda që kanë shprehur agresivitet i kemi pranuar domosdoshmëritë për shkak situatës së krijuar, d.m.th ato raste ekstreme i kemi pranuar”, deklaroi ajo.
Gjatë bisedës për Telegrafin, doktoresha kërkoi të mos krijohet pasiguri për shkak se deri tani nuk kanë pasur shifra që janë rritur.
“Përdorues të substancave në Kosovë ka shumë dhe të dhënat i ka Policia dhe institucionet relevante që merren me këtë pjesë, mirëpo ata që po kërkojnë trajtim është numër i njëjtë”, sqaroi ajo.
Ndër të tjera, Gashi – Braina tha se këtë vit kanë pasur numër të madh të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë e që janë të varur nga alkooli, duke shtuar më tej se kërkesat për trajtim janë në rritje, por që kapacitetet i kanë të vogla për trajtimin e këtyre rasteve.